MENU
klinika

Shpresa kundër Spanjës

Bushi humb një lojtar, Bare: Pa presion!

10.10.2018 - 11:57

Para ndeshjes së nesërme me Spanjën, trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, doli në një konferencë për shtyp. Takimi do të luhet nesër prej orës 19:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Numri një i stolit flet hapur dhe pa doreza…

“Jemi munduar që këto eliminatore të bëjmë një futboll të bukur dhe sulmues, por të mos harrojmë që kemi përballë Spanjën. Një ekip me shumë cilësi dhe mjaft kualitativ.

Ata kanë nevojë për 1 pikë për të siguruar vendin e parë, por kjo nuk do të na pengojë ne. Do të luajmë për qejf dhe pa presion. Nuk do të kemi asnjë problem. Do t’i kushtojmë rëndësi dhe mbrojtjes”.  

kombetarja dhe Alban Bushi
kombetarja dhe Alban Bushi

Tekniku zbulon se ekipi i tij ka probleme në mbrojtje, pasi Hakaj është dëmtuar duke u zëvendësuar me Tolin, ndërsa nuk kanë minuta as Tafa e as Maloku. “Kemi probleme në mbrojtje.

Në krahun e majtë na u dëmtua dhe Hakaj dhe u detyruam të marrim Tolin dhe ta përshtasim majtas, pavarësisht se nuk luan me të majtën. Kemi vuajtur për minuta me lojtarët gjatë gjithë këtij edicioni. Tafa dhe Maloku nuk kanë gjetur vazhdimësi në Itali, por në kombëtare kanë bërë mirë”. 

Bushi e pranon se nuk ka patur shumë kohë për të parë gjendjen e grupit. “Të them të drejtën nuk kam patur shumë kohë të shoh gjendjen fizike të grupit. Kemi zhvilluar stërvitje të hënën me grup të reduktuar, dje kemi zhvilluar një seancë më të plotë dhe sot para ndeshjes që do të jetë më e lehtë”. 

Spanja dhe Estonia mund të shërbejnë si prova gjenerale para edicionit të ri. “Po e vërtetë. Ne jemi munduar që tani të fusim lojtarë 1998′-99′ që i kemi dhe për edicionin tjetër, –u shpreh Bushi.

kombetarja U21
kombetarja U21

Përkrah trajnerit Alban Bushi foli para medieve kapiteni Keidi Bare. Ky i fundit shfaq qetësi dhe maturi në fjalët që thotë para gazetarëve. Kalimi nga Atletico Madrid-i te Malaga duket se e ka maturuar dhe më shumë.

Nuk më interesojnë shumë ndjesitë. Për mua e rëndësishme është që të fitojmë kundër Spanjës për ekipin e Shqipërisë. Kam shokë te Spanja, por e rëndësishme është të fitojmë ndeshjen, të tjerat vijnë mbrapa”.

Mesfushori flet dhe për faktin se nuk është grumbulluar nga trajneri Panucci. “Vendos gjithmonë misteri. Unë jam gjithmonë gati si për ekipin e parë, por dhe për Shpresat. Nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të punoj fort. Një ditë do të ia dal mbanë”. 

Fieraku flet dhe në lidhje me edicionin e zhvilluar me Shpresat. Mendoj se kemi bërë një edicion të mirë eliminator, por kam keqardhje. I kemi dominuar kundërshtarët, por nuk kemi arritur të fitojmë. Na ka munguar dhe fati”.

keidi bare
keidi bare

Bare mendon se ndryshimet nuk e kanë dëmtuar: “Ndryshimet e shpeshta të ekipeve si kalimi nga Atletico te Malaga dhe nga Shqipëria U-21 tek ekipi i parë nuk më kanë dëmtuar. Mendoj se njeriu i fortë i përballon si duhet, di të ngrihet. Shiriti i kapitenit? Nuk kam presion aspak”. 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ndizet dueli për talentin

Kosova më afër shqiptarit të Bayernit