MENU
klinika

"Oskari dhe Tezja Rozë"

Çfarë më tha Roza Anagnosti pas shfaqjes!

15.10.2018 - 19:00

Të Shtunën që kaloi, nuk munda ta shoh shfaqjen “Oskari dhe Tezja Rozë”, në Teatrin Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’, por nuk mund ta humbisja kurrsesi ditën e Dielë.

Prenotova 2 bileta, për vete dhe motrën, u bëmë gati dhe u nisëm. Në orën 18:45 ishim para derës së teatrit me biletat në duar. Radha 1, vendi 10-11. Në fillim, në qendër.

“Iu kam gjetur vende të mira meqënëse më the që je gazetar”, më tha vajza e biletarisë.

Çfarë donte të thoshte me “Meqënëse je gazetar”?! Pse po të mos isha çfarë? Do më degdiste në ndonjë vend andej nga fundi me siguri.

U futëm në sallë, zumë vendet dhe po prisnim që të fillonte shfaqja. Në skenë ishte vendosur vetëm një krevat spitali dhe një tavolinë e vogël pranë tij. Duke qenë në buzë të skenës, ndjeva një erë të rëndë e të çuditshme. E kuptova menjëherë që ishte era e vajit me të cilin ustallarët kishin lyer skenën prej druri, në mënyrë që ajo të shkëlqente. Atë skenë, që pas pak do të mirëpriste një nga aktoret më të njohura dhe më të merituara që ka pasur ndonjëherë kinematografia dhe teatri shqiptar, Roza Anagnostin.

Ora shkoi 19:00 dhe shfaqja akoma nuk kishte filluar. As salla nuk ishte mbushur ende. Sigurisht, korrektesa nuk është karaktëristikë e jona. Madje disa njerëz filluan edhe të ziheshin për vendet e tyre. Për pak minuta u bë një rrëmujë e vogël me gumëzhima. Aty nga ora 19:05 u dëgjua një zile. Njerëzit filluan të uleshin më shpejt në vendet e tyre dhe pak nga pak salla u mbush. Në 19:15 pas një lajmërimi me zë të lartë, shfaqja filloi. Ishim gjithë sy e vesh.

Në skenë hyn fluturimthi Oskari, rol i luajtur nga aktori i ri Franc Bregu, i ndjekur nga Z.Rozë, rol i vënë në skenë me mjeshtëri nga Roza Anagnosti. Unë pak a shumë e dija zhvillimin e ngjarjes, por kjo nuk më bënte të humbisja kureshtjen se çfarë dhe si do të vijonte gjithçka që sapo kishte nisur. Oskari, një djalë 10-vjeçar i sëmurë rëndë ishte shtruar në spital dhe për të kujdesej Z.Rozë. Një kujdes të veçantë madje, kujdes të cilin Anagnosti e shfaqte me shumë finesë dhe delikatesë.

I përshtatej më së miri Oskarit, edhe pse e madhe në moshë. Herë pas here Oskari ankohej se nuk ndihej mirë dhe në ato momente Z.Rozë tregohej menjëherë e gatshme me shkathtësi dhe lëvizje elegante. Me ato lëvizje ajo sikur i thoshte publikut: “Nuk jam kaq e moshuar sa dukem, jo”.

Në prani të Roza Anagnostit aktorët e rinj dukeshin si të lënë në hije, por ishte një përshtatje shumë e mirë e Anagnostit me këta tre aktorë të pasprovuar në skenë. Pak nga pak, shfaqja më përpiu të tërin dhe era e vajit shkëlqyes sikur u zhduk.

Ajo çka të bënte më shumë përshtypje ishte ndërthurja fantastike e tre zhanerave (dramë, komedi, tragjedi). Vetëm një autor si Eric Emmanuel Schmitt mund ta bëjë këtë gjë. Në përgjithësi aktorët francezë shkruajnë hollë, këtë gjë më pohoi edhe Roza Anagnosti pas shfaqjes. Ishte një shfaqje që të bënte të qeshje, të futeshe në mendime, të qaje dhe përsëri të qeshje. Një përzierje ndjesish dhe emocionesh.

Oskari nuk e dinte saktësisht se çfarë sëmundje kishte apo sa e rëndë ishte ajo, por e ndjente që do të vdiste. Prindërit nuk ia kishin thënë, as vetë Z.Rozë nuk guxonte t’ia thoshte, madje dridhej sa herë ai thoshte me zë të lartë: ” Unë e di se do vdes, e di”!

Z.Rozë i propozoi Oskarit që t’i shkruante dhe t’i hapej Zotit, për çdo gjë që ai mendonte. Edhe pse në fillim Oskari nuk dëshironte, në fund ai pranoi. U dorëzua para dashurisë që ndjente për Z.Rozë dhe të panjohurës me emrin Zot.

Një nga filozofët më të mëdhenj të shek. XIX, Friedrich Nietzsche, mendonte se: “çdo njeri ka të drejtë të dijë nëse vuan nga ndonjë sëmundje, çfarë sëmundje apo nëse do të vdiste së shpejti apo jo. Çdo njeri ka të drejtë të planifikojë jetën e tij para vdekjes”, thoshte ai.

Kur e pyeta Roza Anagnostin se çfarë mendonte për këtë gjë ajo më thotë: “Ndonjëherë duhet që gjërave t’i biesh drejt ndoshta, është më mirë se sa të fshihesh.”

Z.Rozë i propozon Oskarit një lojë. Ai duhet të mendojë sikur çdo ditë e tij vlen sa për 10 vjet, dhe në këtë mënyrë ai për 12 ditë do të jetonte 120 vjet.

Rëndësia që ka dashuria në jetën tonë, sidomos në të tilla raste të vështira ku njerëzit kanë nevojë për mbështetje, për kujdes, për vetë dashuri, transmetohej shumë ëmbëlsisht nëpërmjet lidhjes së bukur që krijon personazhi Oskar me Pegin Blu, një vajzë e sëmurë që ndodhej në të njëjtën dhomë me Oskarin. Edhe xhelozia apo zënkat mes miqve për një femër nuk munguan.

Në fund, kur Oskari në imagjinatën e tij iu afrua të 120-ave, ai ndërron jetë. Lajmërimin e bëri Z.Rozë. Pas kësaj, Anagnosti bën një dialog me vetë Zotin. Një dialog që dukej si monolog…por shumë prekës. Në sytë e aktores u vunë re lotë që filluan të binin poshtë faqeve të saj me rrudha.

Shfaqja mbaroi! Publiku duartrokiti pa pushim më shumë se 10 minuta. Buqeta me lule për aktorët, buzëqeshje dhe përsëri duartrokitje, të cilat ndaluan vetëm kur aktorët u larguan për në dhomat e zhveshjes. Një nga një e dy nga dy, të gjithë dolën jashtë dhe salla u boshatis.

U ngjita në skenë, shkova mbrapa saj me bindjen e plotë se do e takoja Rozën, doja ta falenderoja dhe t’i bëja disa pyetje sigurisht. Shkova në katin e dytë dhe e prita për rreth 10 minuta. Kur doli, nuk e priste që unë të gjendesha përballë saj. Më buzëqeshi sikur të më njihte prej vitesh. E përqafova dhe e urova. Me kërkesën time dhe dëshirën e saj për të bashkëpunuar, më poshtë do të gjeni intervistën e plotë:

Rozë, pas shfaqjes së djeshme dhe asaj sot, si ndiheni që u rikthyet në skenë me këtë rol, me këtë shfaqje?

Sigurisht që ky është një autor special dhe me leximin e parë më tërhoqi dhe vendosa, sepse s’është se skisha propozime, por mendova që ky projekt më takon që ta bëj, se ka role që shkon drej rolit, ka personazhe që i sjell pranë vetes. U mundova që këtë rol ta sillja drejt vetes…

Duke qenë se përshtatet edhe me emrin tuaj?

Po! Isha me aktorë shumë të rinj, që debutojnë për herë të parë, edhe kjo është kënaqësi e madhe kur e morëm atë aprovimin nga publiku, kjo është gjëja më e bukur për artistin sepse nuk e bëjmë për vete, është një bashkëveprim artist-publik. Mendoj që është një shfaqje me shumë finesë, ky autori është…psikoanalist mund ta quash, sot është ndër autorët më në zë francez, është i brishtë, është i thjeshtë.

Besimi, nuk është vetëm besimi në Zot, por në përgjithësi. Ky autor ka bërë edhe vepra të tjera në këtë sens, prandaj besimi është shumë i rëndësishëm te njeriu, për të kalu jetën e cila është e çmuar, duhet vlerësuar çdo sekondë, çdo minutë dhe çdo ditë. Unë sa e mora tekstin, deri në fund nuk e lëshova nga dora, më tërhoqi gradualisht brenda tij. Nuk është bum, kjo është e brendshme, është një vepër që duhet ta ndjesh, është psikologjike, shumë e hollë. Francezët kanë gjithmonë diçka speciale. Ky është një autor modern i cili është përkthyer në shumë gjuhë të botës.

Cili është mesazhi që keni dashur të jepni me këtë vepër?

Kemi dashur të japim një mesazh të mirë, komunikimin me njerëzit, sa i rëndësishëm është ai. Jo sepse prindërit nuk e duan këtë, por sepse ata fshihen, në kuptimin…mjeku për shembull, mjeku nuk është i keq, nuk do t’i dalë në ballë, por ndonjëherë gjërave duhet t’i biesh drejt, është më mirë se sa të fshihesh.

Nietzsche ka thënë: “Çdo njeri ka të drejtë të dijë çfarë sëmundje ka, sa do jetojë, që të vendosi paraprakisht se çfarë do bëj me jetën e tij. Si mendoni ju personalisht?

Po po, edhe ky si autor e ka sjell këtë mesazh, te loja që bën Z.Rozë me Oskarin. Unë iu falenderoj shumë, gjithë grupin e të rinjve që më kanë dhënë mirësi dhe respekt. Dashuria e ka bërë këtë vepër. Gjithashtu edhe regjizorin Kiço që e ka sjellë në skenë këtë vepër, se këto janë eksperimente, prandaj quhet teatër eksperimental, edhe unë kam kënaqësinë që bashkëpunoj edhe me ju në këtë rast, një djalë i ri. Iu uroj më të mirën.

Faleminderit, përzemërsisht!

 

Përgatiti: Freard Rista

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!