MENU
klinika

Champions League

City fiton me vuajtje, tripletë e Dybala

02.10.2018 - 20:56

Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të mbrëmjes së sotme në Champions League. Juventus ka kaluar pa problem kampionët e Zvicrës, Young Boys, duke fituar në Torino me rezultatin e pastër 3-0, me 3 gola të shënuar nga Dybala. Ndërsa City ka vuajtur shumë në Gjermani përballë Hoffenheim, teksa vetëm në fund ka fituar 2-1.

Takimi i luajtur në “Allianz Stadium” ka patur një histori të shkurtër, me zviceranët që kanë rezistuar vetëm pesë minuta lojës para se të ndëshkoheshin nga Paulo Dybala. Argjentinasi ka marrë një pasim të bukur nga Bonucci dhe ka dërguar topin në rrjetë me një goditje po aq të bukur fluturimthi me të majtën.

Vendasit kanë dyfishuar avantazhin në minutën e 33-të dhe autori ka qenë përsëri Dybala, i cili ka qenë në vendin e duhur në momentin e duhur, kur portieri i miqve ka devijuar goditjen e fortë të Matuidi, duke e dërguar topin në këmbët e sulmuesit bardhezi, i cili ka shënuar me portën e boshatisur.

Qershia mbi tortë për yllin e Juventus ka ardhur në minutën e 69-të, kur ka realizuar edhe golin e tretë personal dhe të tretin për torinezët. Edhe ky ka qenë një gol i lehtë për yllin e “Zonjës”, i cili ka shënuar përsëri me portën e boshatisur pas një asisti të Cuadrado. Ronaldo ka munguar për shkak të kartonit të kuq të marr ndaj Valencias.

HOFFENHEIM-MANCHESTER CITY 1-2

Një start makthi për të besuarit e Pep Guardiola-s. Vendasit kaluan në avantazh që në minutën e parë falë ish-lojtarit të Inter, Ishak Belfodil. Por City reagon menjëherë, duke barazuar rezultatin në minutën e 8’.

Leroy Sane jep një pasim të bukur për Sergio Aguero i cili me portën e boshatisur shtyn topin në rrjetë. Padyshim që City është ekipi që mundohet të bëjë diçka teksa Hoffenheim mbrohet mirë dhe tenton të rrezikojë me kundërsulme. Sterling dhe Aguero mund të kishin kaluar në avantazh Qytetarët, por tentativat e tyre nuk ishin të suksesshme.

Pas pushimit City rrit presionin ndaj Hoffenheim duke krijuar përsëri mundësi të mira për golin e dytë, por sulmi i miqve sërish tregohet i pasaktë përpara portës së gjermanëve.

Por në minutën e 84’ City më në fund ka shënuar golin e shumëkërkuar dhe të merituar. David Silva vjedh një top brenda zonës dhe mposht portierin me një goditje të klasit të lartë. City merr një fitore të merituar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN