Drama e brendshme personale në nji situatë të skajme ekzistenciale, ma shumë sesa çdo rrethanë tjetër, e ban nji protagonist me e prek kupolën e eterit historik.
Noli në jetëshkrimin e vet thotë që kanë qenë tri arketipe në formimin e tij: Jezusi, Skënderbeu dhe i ungji i Nolit.
Në secilën situatë jetësore e në shtrëngica, Noli e ka përfytyrue nji përgjigjje të secilit prej tyne në situata hipotetike (çka kish ba, fjala vjen, Skënderbeu në prag të revolucionit demokratik të qershorit 1924?).
Nejse hiçmu marangozit të Nazaretit që s’ja vlen me u marrë me të. Le të mbetemi veç të zoti Aleksandër (Iskander bey):
Nji lexim intim i Skënderbeut e zbulon atë shumë ma pak sqimatar e fodull, e shumë ma shumë tragjik e zemërplastë.
Regjisori jetëndërruar Sten Dragoti ka pas të drejtë, kur u shestojke ideja e nji projekti kineast, që nji film duhet me e përkap botën e brendshme të Skënderbeut.
Aragonezë, milanezë e hungarezë, të ndodhun larg teatrit të luftimeve thuejse të përhershme, e miklonin Skendën me tituj të zulmshëm “Dominus Albanie”.
Po ky çka pati në të vërtetë?
Tragjedia e Kastriotit âsht familjare: tradhtohet prej djalit të vllaut (Hamzës), tradhtohet shpesh edhe prej vjehrrit problematik e zevzek (Gjergj Komninit-Aranitit), tradhtohet prej djalit të motrës (Stres Balshës), tradhtohet prej gjeneralit ma të mirë (Moisi Komnin – Golemit), tradhtohet, në fund, edhe prej njerëzve të vet në vendlindjen e tij në Qidhnë (Sinjë e Gardh)…
Edhe në fund apet e sheh nji Skënderbe të pandalshëm: repartet arbërore me arkebuza (proto-dyfeqe) e arbaleta (harqe me mekanizëm) bajnë fushata ekspedicionare deri në Strumicë (afër kufinit me Bullgarinë), kurse regjistrat osmanë në Pollog zbulojnë se pjesa ma e madhe e timariotëve osmane janë vra çdo vit në luftime…
Honestly, what an unbelievable guy!