MENU
klinika

NBA

Curry-Durant i japin fitoren Warriors

29.10.2018 - 11:21

Një humbje pas startit me Denver ishte thjesht aksidentale për Golden State Warriors, që vazhdojnë të dominojnë në këtë fillim sezoni të NBA. Kampionët në fuqi fituan 114 – 120 në parketin e Brooklyn Nets, falë 69 pikëve në total të dyshes magjike Stephen Curry-Kevin Durant (35-34).

Perioda e parë ishte krejtësisht e ekuilibruar, madje për pjesën më të madhe të kohës qëndruan në krye vendasit, por Curry e Durant bënë diferencën në periodat pasardhëse, duke e çuar Golden State deri +19 pikë në fund të periodës së tretë, për ta administruar pa shumë sforcim më pas epërsinë.

Frymëmarrje më në fund për Oklahoma City Thunder, që pas katër humbjeve radhazi gjeti fitoren e parë sezonale 117-110 ndaj Phoenix Suns. Nga 23 pikë realizuan Russell Westbrook dhe Paul Geroge, ndërsa Noel shtoi 20 pikë të tjera për Thunder. Për Suns kjo ishte humbja e pestë radhazi në gjashtë ndeshje në total.

Të papërmbajtshëm Los Angeles Clippers përballë Washington Wizards, me sfidën e “Staples Center” që përfundoi 136-104 në favor të kalifornianëve. Diferencën në këtë ndeshje e bënë lojtarët e stolit, pasi plot 9 basketbollistë të Clippers arritën numër dyshifror pikësh.

Dennis Smith Jr, edhe pse rezultoi më i miri i sfidës me 27 pikë, nuk mundi ta shmangte humbjen 103-114 të Dallas Mavericks ndaj Utah Jazz. Për miqtë spikati francezi Gobert me 23 pikë e plot 16 rikuperime.