MENU
klinika

A është mjekësia Art?

Dallimi i artistit ndaj mjekut

13.10.2018 - 17:19

Vazhdon të diskutohet nëse mjekësia është shkencë apo art. Ka edhe historianë, që e përshkruajnë historinë e saj si Historia e Artit të Mjekësisë.

Arti është mënyra si bëhet një gjë sipas disa rregullave teknike dhe estetike.

Mjekësia është art, sepse jo vetëm duhet të dish të bësh, por edhe të dish të thuash dhe të dish të jesh, sipas disa rregullave teknike dhe ndonjëherë estetike.

Në vija të përgjithshme, mjekësia përmban gjithë përbërësin e mjeshtërisë artistike.

Në disa fusha të nënspecialiteteve të Mjekësisë, mjeshtëria artistike del në plan të parë, p.sh. në degë të ndryshme të kirurgjisë, siç është kirurgjia plastike, në degë të ndryshme të stomatologjisë, në dermatologjinë kozmetike e në ndonjë fushë tjetër.

Por edhe në këto fusha Mjekësia zbatohet vetëm e vetëm mbi themelin e saj shkencor, pra, ndërsa shfaqja, dukuria e puna duket si art i mirëfilltë, thelbi mbetet shkencor.

Në veçanti, shkenca e mjekësisë nuk mund të ekzistojë pa intuitën, pa imagjinatën, pa fantazinë, pa përfytyrimin e pa kreativitetin, që janë elemente të mirëfillta të artit.

Dallimi midis artistit dhe mjekut është i qartë dhe thelbësor: ndërsa artisti, përfytyrimin, fantazinë, intuitën i hedh në veprën e tij artistike (kompozime, poezi, pikturë, skulpturë, romane etj.), mjeku, detyrimisht, ia nënshtron ato arsyes, kritikës dhe verifikimit të rreptë shkencor, duke i përshkruar në kartelën e të sëmurit, në përpilimin e recetës, në kryerjen e ekzaminimeve diagnostike dhe gjatë mjekimit e komunikimit me pacientin, me të afërmit e tij apo dhe me kolegët e tij.

Dijetari A.Guzzo ka thënë: “Shkenca dhe arti nuk e kundërshtojnë dhe nuk e pengojnë njëra-tjetrën… Pa shkencë nuk ka art dhe pa art nuk ka shkencë”.

Trusoja, klinicisti më i madh i fundit të shekullit XIX, u thoshte studentëve të tij: “Kur do të njihni faktet shkencore, mos mendoni se jeni bërë mjek, ngaqë jo të gjithë bëhen artistë.”

(Marrë nga libri “Historia e Mjekësisë”, përgatitur nga Prof. Andrea Gudha)