MENU
klinika

Po zhvillohet turizmi dentar

Dentistët, 4% e pacientëve vijnë nga jashtë

29.10.2018 - 12:32

Turizmi dentar është një fenomen i cili ka njohur zhvillim vitet e fundit në Shqipëri. Sipas studimeve të bëra nga vetë stomatologët, ai zë rreth 4% të volumit të punës së klinikave dentare në vend. Shërbimet që kërkojnë këta të fundit janë ato të cilat kanë edhe kostot më të larta në vendet e zhvilluara si kirurgji apo ortodonci. Çmimet në klinikat dentare në Shqipëri janë rreth 4-5 herë më lirë se në vendet e tjera.

Çmimet e klinikave dentare janë disa herë më të lira, në raport me vendet e tjera. Për shembull, nëse në Itali për një mbushje dhëmbi apo dhëmballe, duhet të paguash 250 euro, në Greqi të kërkojnë 180 euro, në Angli 300 paund, në Amerikë 400 dollarë, në Shqipëri një mbushje dhëmbi paguhet mesatarisht 15-35 euro. Rritja e numrit të pacientëve në klinikat dentare vjen në periudha të caktuara të vitit.

Kryesisht gjatë muajve të verës rreth 70% e pacientëve në klinikat dentare janë emigrantë shqiptarë, të cilët vijnë për pushime në vend, por që përfitojnë edhe për kryerjen e disa shërbimeve tek stomatologët.

Përgjithësisht, kërkohen shërbime që jashtë nuk i mbulon siguracioni dentar, që janë urat e porcelanit, protezat apo mbjellje dhëmbësh. Shtetasit e huaj mund të vijnë gjatë gjithë vitit, qoftë edhe vetëm për të marrë vetëm shërbimin dentar në Shqipëri. Janë pacientë që vijnë sidomos nga Italia, Anglia por edhe vende të tjera të BE-së. Pacientët e huaj janë sidomos të interesuar për trajtimet dentare të shtrenjta si ndërhyrjet kirurgjikale apo ato trajtime që kanë më shumë lidhje me estetikën, si zbardhim dhëmbësh apo ortodonci.

Në Shqipëri, ortodoncia ofrohet me një vlerë rreth 1000 euro ndërkohë që ne Itali ofrohet nga 2000-3000 euro, por që ky çmim ndryshon nga rasti i pacientit dhe kohëzgjatja e trajtimit. Një implant dhëmbësh në Itali shkon 1600 euro, në Greqi rreth 1300 euro, në Amerikë 2000 dollarë, ndërsa në Shqipëri vetëm 500-600 euro.