MENU
klinika

Këshilla!

Diabetik dhe mbipeshë? Veprimi që s’duhet bërë

03.10.2018 - 16:08

Në raste se filloni një program ushtrimesh fizike më parë duhet që të merrni disa masa sidomos kur jeni me diabet. 

Në fillim ju duhet të keni edhe konfirmimin e mjekut tuaj që jeni gati nga ana klinike dhe nga ekzaminimet për ta vendosur trupin në një sforco fizike. Koha më e mirë për t’u marrë me ushtrime fizike është rreth 20-30 minuta pas ngrënies. 

Kjo lejon që ushqimi të zërë vend përpara se të fillohen ushtrimet dhe të ruhet niveli i duhur i glicemisë. Nëse ushtrimi është i lehtë dhe për një kohë të shkurtër dhe niveli i glicemisë është 100 mg/dl atëherë nuk ka nevojë që të merrni ushqim tjetër.

Nëse koha e ushtrimeve fizike do të jetë më e gjatë atëherë këshillohet që në çdo 30 minuta të merret një ushqim i lehtë. Kjo sepse mund të vini re shenja lodhjeje gjatë dhe pas kryerjes së ushtrimeve fizike.

Nëse keni diabet të tipit II dhe jeni mbipeshë atëherë nuk duhet të hani apo të merrni kalori shtesë gjatë ushtrimeve fizike përveçse kur niveli i sheqerit në gjak bie nën normalen.

Para se të filloni me ushtrimet fizike kujtohuni se kur keni ngrënë apo kur keni bërë injeksionin e fundit të insulinës, mënyrën e marrjes dhe sesa zgjat koha e veprimit të saj.

Këshillohet që t’i bëni ushtrimet fizike së bashku me një partner që ai të mund t’iu ndihmojë në momente të caktuara. Ndërkohë duhet që të jeni të vëmendshëm ndaj çdo sinjali që iu jep trupi juaj si dhimbje, të therura, ndryshimet e pulsit etj.

Duhet që të jeni të vëmendshëm ndaj temperaturës së ambientit dhe veshjes suaj pasi djersitja, mbingrohja apo dhe i ftohti mund të ndikojnë keq në shëndetin tuaj.

Po kështu duhet të jeni të kujdesshëm me intesitetin e ushtrimeve pasi mund të rrisin presionin e gjakut në kokë dhe mund të çojnë në dëmtime sidomos në sytë tuaj.

Bëni kujdes gjatë ushtrimeve për plagët apo dëmtimet që mund t’iu shkaktohen pasi është e vështirë që ato të trajtohen dhe të shëroheni dhe mund të çojnë deri në amputim të anesive.

Kontrolloni patjetër nivelin e sheqerit në gjak rreth 30 minuta pas ushtrimeve. Nëse glicemia juaj është nën 80mg/dl atëherë duhet të hani diçka të lehtë.

Bëni kujdes me çorapet dhe atletet që do të vishni gjatë kryerjes së ushtrimeve fizike pasi mund të çojnë në dëmtime nëse nuk janë të përshtatshme dhe të lira për të siguruar ajrosjen e gishtave.

Janë pikërisht pjesët më fundore si gishtat e këmbëve që për shkak të një dëmtimi, gërvishtje, vrarje këmbe nga atletet të fillojnë ulçerat diabetike që shërohen me vështirësi ose nuk shërohen fare.

Shtriqja e muskujve para dhe mbas ushtrimeve bën mirë për të çtendosur muskujt. Gjatë shtriqjes duhet të jeni të qetë sepse në të kundërt më shumë iu bën dëm sesa mirë. 

Veprimi duhet që të kryhet ngadalë, me ritëm të njëjtë nga 10-30 sekonda për secilin gjymtyrë duke i vendosur ato në një pozicion të tendosur për disa sekonda. Duhet që të gjitha pjesët e trupit të çtendosen në mënyrë të barabartë.

Para se të filloni do bëni një plan që të përfshijë:

-Llojin e ushtrimit që do të zgjdhni;

-Shpeshtësinë që do ta bëni;

-Intesitetin e ushtrimeve;

-Kohëzgjatjen e ushtrimeve.

Nëse jeni në gjendje të flisni apo të këndoni kur jeni duke bërë ushtrimet fizike kjo do të thotë që intensiteti i ushtrimeve është i duhuri.

Sa më i moshuar të jeni aq më ngadalë do filloni, edhe 1-3 minuta aktivitet fizik në ditë është i mjaftueshëm në fillim.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN