MENU
klinika

Shifrat dhe partnerët

Dossier/ Importi i armëve, 2.8 mld USD në 70 vjet

20.10.2018 - 10:33

Që prej vitit 1950 e deri më sot, Shqipëria ka importuar armë në vlerën e 2.8 miliardë dollarëve, me Kinën që mbetet furnizuesi kryesor. Kina na ka shitur armë në vlerën e rreth 2.2 miliardë dollarëve.

Gjatë këtij harku kohor, ka edhe një boshllëk mjaft të madh. Nga vitit 1979, deri në vitin 1995, për arsye të njohura tashmë, Shqipëria nuk ka importuar qoftë edhe 1 dollar të vetëm armë nga jashtë. Nga viti 1950 deri në vitin 1954, Shqipëria nuk ka importuar armë në vlerë më të madhe se 14 milionë dollarë. Kthesa e madhe vjen në vitin 1955. Në këtë vit, Shqipëria importoi armë në vlerën e 130 milionë dollarëve, nga Bashkimi Sovjetik.

Nga viti 1950 e deri në vitin 1962, Bashkimi Sovjetik ka qënë furnizuesi numër një i armëve, për të mos thënë i vetmi për Shqipërinë, për një total prej 626 milionë dollarë armë të importuara.

Në vitin 1955, kur Shqipëria fillon të importojë armë masivisht dhe ku trendi arrin të thyhet vetëm në vitin 1979, rrjedhojë e izolimit, Bashkimi Sovjetik i shiti vendit tonë 225 lloje të ndryshme armësh, që nga avionët luftarakë, ata stërvitorë, mortaja, sisteme raketore, tanqe, etj.

Një vit më vonë, në 1956, Shqipëria importoi edhe më shumë armë, në vlerën e 151 milionë dollarëve. Pikërisht në këtë vit, Kina hyn në skenë për herë të parë, duke furnizuar Shqipërinë me armë në vlerën e 39 milionë dollarëve, ndërkohë që pjesa e mbetur i takon Bashkimit Sovjetik.

Deri në vitin 1962, Shqipëria kishte importuar plot 8 nëndetëse të dorës së dytë, 4 nga Kina dhe 4 nga Bashkimi Sovjetik, ndërkohë që regjistri tregtar flet për qindra lloje armësh të ndryshme të importuara, toke, deti dhe ajri.

2 mld USD import armësh nga Kina

Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria i hyn periudhës së armatimit të frikshëm, me plot 2 miliardë dollarë import armësh në vetëm 17 vite, vetëm nga Kina.

Monopolin kinez e prishin vetëm dy shtete, në një vit të vetëm dhe me një vlerë thuajse minimale; Çekosllovakia dhe Gjermania Lindore, në vitin 1963, që eksportuan armë në vendin tonë në vlerën e 2 dhe 3 milionë dollarëve respektivisht. Gjatë kësaj periudhe kohore, Shqipëria thyen thuajse çdo rekord të mundshëm, vit pas viti. Në krahasim edhe me popullsinë mjaft të vogël, shifrat janë vërtet të frikshme. Në vitin 1965, Shqipëria importoi nga Kina armë në vlerën e 177 milionë dollarëve. Një vit më vonë, shifra zbret në 74 milionë dollarë.

“Dekada e çmendur”

Në vitin 1967, nis një periudhë 10-vjeçare e “çmendur” e armatimit. 161 milionë dollarë në 1967, 265 milionë dollarë në 1968, 297 milionë në 1969 dhe 250 milionë dollarë në vitin 1970. Armatimi i Shqipërisë kulmon në vitin 1971, kur vendi regjistron një rekord historik, duke importuar armë në vlerën e 330 milionë dollarëve. Pa bërë rregullimin e raporteve në bazë të popullsisë, në atë vit, Shqipëria renditej si vendi i 30-të në botë për importin e armëve.

Në tre vitet e ardhshme, Shqipëria importoi 134 milionë dollarë armë, 104 milionë dhe po 134 milionë dollarë. Në harkun e këtyre 10 viteve, vendi ynë importoi nga Kina, armë në vlerën e 1.926 miliardë dollarëve. Pas vitit 1974, ndërkohë, shifrat bien ndjeshëm, në 5, 5.7 dhe po 5 milionë dollarë. Për atë që ndodhi pas vitit 1979 e më pas, flet historia. Shifrat dinë të tregojnë se pas këtij viti, nuk ka më tregti armësh në Shqipëri, të paktën zyrtarisht, qoftë me 1 dollar të vetëm.

Eksporti pa histori

Ndërkohë që për shifrat e importit, ka çfarë të flitet dhe të analizohet, për eksportin e armëve nga Shqipëria drejt vendeve të tjera, nuk ka histori. E vetmja shifër, që prej vitit 1950 e deri në vitin 2015, rezulton në vitin e afërt 2015. Për më tepër kjo shifër rezulton në zero. Por, në këtë rast, zero nuk i referohet zeros në vlerë absolute, por një shifër që është më e vogël se 500 mijë dollarë. Në këtë vit, Shqipëria eksportoi armë drejt Burkina Fasos, në një vlerë më të vogël se 500 mijë dollarë. Për vitet e tjera, ndërkohë, shirfat janë në zero absolute. Edhe sa i përket eksporteve, ashtu si importet, shifrat janë zyrtare, pra çfarë ka hyrë zyrtarisht në regjistrat tregtarë.

Shifrat për rajonin

Rajoni, ndërkohë, nuk ka shumë histori në importin e armëve, duke pasur parasysh se pjesa dërrmuese e shteteve përreth janë të reja dhe janë formuar pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Kosova, në të gjithë historinë e saj të re, raporton vetëm 1 milionë dollarë import armësh, në vitin 2014 nga Turqia. Më aktive se Kosova, por edhe se Shqipëria, pas viteve ’90 është Maqedonia. Fqinjët kanë importuar armë që prej vitit 1994, në vlerën e 248 milionë dollarëve. Nga kjo shumë, thuajse gjysma i takon importeve nga Ukraina, në 109 milionë dollarë, në 1 vit të vetëm, në 2001. Furnizuesi i dytë më i madh i armëve për Maqedoninë është Bullgaria, me 72 milionë dollarë.

Ndryshe nga Shqipëria, sa i takon armëve, Maqedonia ka një listë të diversifikuar furnitorësh, plot 12 të tillë. Shqipëria numëron vetëm 7 furnitorë. Pas vitit 2002, Shqipëria ka importuar pak më shumë se 1 milion dollarë armë. Serbia, ndërkohë, noton në të njëjtat ujëra me vendin tonë, pas viteve ’90, me vetëm 93 milionë dollarë import armësh dhe me Ukrainën furnizuesin kryesor, me 39 milionë dollarë.

Greqia, importe rekord në Rajon

Duke kaluar te Greqia, shifrat mund të përkthehen në rreshta pa fund. Greqia rezulton të jetë ndër vendet më të mëdha importuese të armëve në botë. Që prej vitit të largët 1950, nuk ka ditur të ndalet. Përkundrazi, vetëm në vitin 2003, Greqia ka shpenzuar 2.2 miliardë dollarë për të blerë armë. Vetëm gjatë këtij viti, Greqia ka blerë 1.5 miliard dollarë armë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA është edhe furnizuesi më i madh i Greqisë me armë në histori. Nga 40 miliardë dollarë import armësh në këto 65 vite, 20 miliardë janë armë të blera vetëm në Shtetet e Bashkuara. Në vend të dytë renditet Gjermania, me 8.3 miliardë dollarë. Në kulmin e krizës financiare, në vitin 2015, Greqia bleu armë në vlerën e 763 milionë dollarëve. Nga kjo shumë, 563 milionë dollarë i bleu vetëm nga Gjermania.

Shpenzimet për mbrojten pas viteve `90

Të dhënat për shpenzimet totale për mbrojtjen, pra të shumës së parave që çdo vit qevera i vë në dispozicion mbrojtjes, janë të cunguara sa i përket Shqipërisë. Përpara viteve `90, të dhënat janë të pakta, paçka se perceptimi i përgjithshëm dhe faktet tregojnë se shpenzimet kanë qenë të çmendura.

Në vitin 1980, Shqipëria shpenzonte për mbrojtjen një shifër të barabartë me 6.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Deri në vitin 1991, kjo normë është luhatur në të njëjtat ujëra, duke mos zbritur asnjëherë nën nivelin e 5.2%.

Pas viteve `90 ndërkohë, diferenca është e dukshme. Në vitin 1990, norma fiksohej në 5.9%, dhe në vitin 1991 në 5.8%, më pas zbret në 4.7%, 3.2% në vitin 1993,  2.5% në vitin 1994, 2.1% në vitin 1995. Pika e kthesës është viti 1996, kur shpenzimet për mbrojtjen zbresin në 1.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Që prej asaj kohe, Shqipëria nuk e ka kaluar më asnjëherë normën e 2% të PBB. Vetëm në vitin 2008, për shkak të angazhimeve që buronin nga anëtarësimi në NATO, Shqipëria shpenzoi për mbrojtjen një shifër të barabartë me 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në vitet 2006-2008, vihet re një rritje e lehtë e shpenzimeve, për mbrojtjen, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë që prej vitit 1995. Në këto tre vite, shpenzimet për mbrojtjen u ngjitën në 1.6, 1.8 dhe 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për të pasur një ide edhe më të qartë të situatës, i kthejmë përqindjet në shifra absolute, pra në para`. Në vitin 1990 Shqipëria shpenzonte 272 milionë dollarë nga buxheti i shtetit për mbrojtjen, në vitin 1991, 193 milionë dollarë. Shifra fillon uljen, siç e përmendëm më lart, në vitin 1996, duke zbritur në 108 milionë dollarë. Deri në vitin 2002, Shqipëria nuk shpenzon në asnjë vit më shumë se 100 milionë dollarë. Në vitet para anëtarësimit në NATO, Shqipëria shpenzon 162, 200 dhe 236 milionë dollarë respektivisht.

Duke i kthyer shifrat në përqindje, por në raport me atë që zënë në shpenzimet e përgjithshme të qeverisë, në vitin 2006, norma shkon në 5.4%, në vitin 2007 në 6.2% dhe në vitin 2008 në 6.3%. Në vitin 2015, shpenzimet e qeverisë për mbrojtjen ranë në 3.6%, gjë që nuk ndodhte që prej vitit 1999. Për të parë si ka ndikuar kjo në xhepat e shqiptarëve i shohim shifrat në bazë të shpenzimeve për frymë.

Në vitin 1991, shifra fiksohej në 10.1 dollarë për frymë. Minimumi historik është prekur në vitin 1996, me vetëm 9.7 dollarë për frymë.

Anëtarësimi në NATO ndërkohë, i ka kushtuar shqiptarëve para. Në vitin 2006 shifra ngjitet në 47.3 dollarë për frymë, thuajse 10 dollarë më shumë se një vit më parë. Në vitin 2007, mbrojtja i kushtoi shqiptarëve plot 55.9 dollarë për frymë, ndërkohë që në vitin 2008, shifra ngjitet në rekordin historik të 87.4 dollarëve për frymë.

Në terma më të thjeshtë, shqiptarëve u ka kushtuar rreth 50 dollarë për kokë, faza 3-vjeçare e përgatitjes së vendit si anëtar i NATO-s. Duke pasur parasysh përfitimet, fatura duket jo edhe aq e kripur. Në vitin 2015, shqiptarët paguan vetëm 47.9 dollarë për mbrojtjen.

 

Në demokraci vetëm 75 milionë USD

Pas viteve 1990, importi i armëve në vendin tonë është mjaft i vakët, në një shumë totale prej 75 milionë dollarësh dhe ku Franca mbetet furnizuesi numër një, me 29 milionë dollarë, e ndjekur nga Kina me 26 milionë dollarë, Gjermania me 11 milionë dollarë, dhe Italia me 9 milionë dollarë.

Në vitin 1995, Kina eksportoi armë në vendin tonë në vlerën e 26 milionë dollarëve. Për Shqipërinë, ishte rekordi i importit të armëve në një vit të vetëm gjatë pluralizmit. Ky rekord ka shumë pak gjasa të thyhet, të paktën në terma afatmesëm. Regjistri tregtar tregon se, bëhet fjalë për një porosi të vetme, në vitin 1994 dhe që vendit tonë i është dorëzuar në vitin 1995. Kjo porosi është një sistem i mbrojtjes bregdetare dhe përfshin një sistem antiraketë. Sa i përket llojit të armëve, në tregtinë e pas viteve `90, mbizotërojnë mjetet ajrore, me 50 milionë dollarë, nga 75 milionë që është totali. 11 milionë dollarë janë raketa, ndërsa 15 milionë janë sensorë.