MENU
klinika

Dossier

Shqipëria, destinacioni i preferuar i kosovarëve për pushime

21.10.2018 - 15:54

Rreth gjysmë milionë më shumë turistë kanë vizituar Shqipërinë në vitin 2018 krahasuar me vitin 2017.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme të Shqipërisë (MPB), duke publikuar disa statistika mbi punën e realizuar gjatë sezonit turistik veror.

Rreth katër milionë më shumë shtetas kanë hyrë e dalë gjatë vitit 2018, krahasuar me një vit më parë. Afër 500 mijë më shumë turistë kanë vizituar Shqipërinë këtë vit, krahasuar me një vit më parë dhe rreth 775 mijë mjete më shumë kanë hyrë e dalë këtë vit në Shqipëri, krahasuar me një vit më parë“, thotë MPB.

Forcimi i turizmit të trashëgimisë kulturore ka sjellë rritje të numrit të turistëve në pjesët e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Por, cili është raporti i turistëve që vizitojnë Shqipërinë nga Kosova?

Edhe pse kanë ankesa turistët nga Kosova për kushtet, çmimet dhe trajtimit që i bëhen nga hotelet shqiptare, numri i kosovarëve që vizitojnë Shqipërinë prapë mbetet i lartë. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ende mbetet vendi më i preferuar i qytetarëve të Republikës së Kosovës për pushime.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), gjatë vitit 2017, nga Kosova drejt Shqipërisë u shënuan 1 milion e 745 mijë e 973 hyrje.

Hyrjet nga Kosova vijojnë të mbeten në vend të parë me 34 për qind në listën e vendeve nga ku vijnë vizitorë në Shqipëri. Në vend të dytë është Maqedonia, ndjekur nga Greqia dhe Mali i Zi.

87 për qind e hyrjeve nga Kosova janë për pushime, prej tyre 83 për qind qëndrojnë në hotele, mesatarja e qëndrimit është 3.8 ditë dhe shpenzojnë 55 euro për person në ditë“, thuhet në raportin e INSTAT për turizmin.

Vitet e fundit, Kosova po njeh rritje të konsiderueshme të turistëve nga Shqipëria.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i vizitorëve nga Shqipëria ka shënuar rritje.

Gjatë vitit 2017, nga Shqipëria në Kosovë u shënuan 1 milion e 164 mijë e 973 hyrje, prej të cilave 929,059 hyrje ishin për vizitë miqve dhe të afërmve, ndërsa vetëm 3,033 hyrje ishin për pushime.

Nga numër i tërësishëm i hyrjeve, mbi 90 për qind e tyre nuk kishin afat të kohës së qëndrimit, ndërsa 13,275 hyrje ishin regjistruar se kanë qëndruar më pak se 11 ditë.

Sipas ASK-së, thuhet se 20 për qind e vizitorëve të tërësishëm në Kosovë vijnë nga Shqipëria.

Gjatë vitit 2017, nga Shqipëria në Kosovë pushuan 15,147 vizitorë me 21,975 netëqëndrimi. /Konica.al/