Një nga shqetësimet që ndjejnë të gjithë drejtuesit e automjeteve është çmimi i lartë dhe cilësia e lëndëve djegëse që përdorin për automjetet e tyre.
Një vendim i Këshillit të Ministrave në Shqipëri, i pasuar nga një tender për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit të pompave të karburanteve ka ngritur dyshime për shmangien e interesit publik dhe një garë të paracaktuar. Tenderi është pezulluar në fillim të muajit pas ankimit të një kompanie zvicerane për diskriminim të operatorëve të huaj.
Zëri i Amerikës shkruan se vetëm për kontrollin e shpërndarësve të karburanteve, ky institucion zotëron shtatë laboratorë të lëvizshëm me vlerë mbi 73 milionë lekë dhe një staf të kualifikuar.
Zëri i Amerikës iu drejtua Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të sqaruar arsyet se pse një shërbim i investuar ndër vite po jepet me koncesion, por nuk mori asnjë përgjigje. Edhe drejtori i Përgjithshëm i Metrologjisë, Petrit Rama nuk pranoi të komentonte.
Projekti koncesionar është pritur me kundërshti nga operatorët e tregut të karburanteve, ndërkohë që shoqatat përfaqësuese të biznesit apo ato në mbrojtje të konsumatorit kontestojnë mungesën e transparencës, të një strategjie të qartë të qeverisë si dhe rrezikun për kosto shtesë në çmimin fundor të naftës.
Gjergj Bojaxhi, ish-zv.ministër Ekonomie dhe aksioner i një kompanie brokerimi në fushën e hidrokarbureve thotë se mungesa e transparencës dhe e një strategjie të prezantuar shqetëson si konsumatorët, ashtu edhe operatorët privatë.
“Fakti që ne përfundojmë duke e dhënë këtë shërbim fitimprurës një kompanie private që nuk do të paguajë lekë në buxhetin e shtetit, që investimi do të jetë minimal dhe fitimi i sigurtë, na bën të mendojmë se kjo është një praktikë ose politikë sektoriale, që nuk është në interes të konsumatorëve dhe as të buxhetit, por një praktikë në interes të disa segmenteve mbase nepotike të biznesit.
“Noa Control” është themeluar në prill të vitit 2015 nga aksioneri i vetëm Gentian Sula dhe vepron si partnere në Shqipëri e kompanisë spanjolle Applus.
Përgjatë tre viteve të operimit të saj, Noa Control ka arritur të sigurojë një autorizim nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë për kontrollin e matësave të ujit, është organ i miratuar nga ministri i Transporteve dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri për kontrollin e rezervuarëve të gazit dhe në fillim të vitit u bë kompania e vetme shqiptare e autorizuar nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj për kontrollin teknik të ashensorëve.
Duke pretenduar për garë diskriminuese, një kompani me bazë në Zvicër e quajtur Penzoil Trading u ankua në Komisionin e Prokurimit Publik.
Projekti koncesionar i kontrollit të pajisjeve në karburante nuk është i vetmi në këtë sektor. Në fillim të vitit 2013, qeveria e drejtuar nga Berisha firmosi koncesionin e markimit, tarifë e transferuar kjo në çmimin fundor të karburantit.
Ekspertët e kontaktuar nga Zëri i Amerikës argumentojnë se Shqipëria ka sot çmimin më të lartë të karburantit në rajon dhe një rritje tjetër e mundshme rrezikon ta çojë ekonominë në kolaps.