Një stadium i ri për Kukësin. Është një premtim jo vetëm i presidencës, por edhe i Kryeministrit Edi Rama. Sot, gjatë fjalës së tij, para banorëve të Kukësit, Edi Rama është shprehur se stadiumi i ri do të jetë model. Sipas numrit një të qeverisë shqiptare, stadiumi do të ketë përmasat dhe standardet që kërkon UEFA.
Më herët kanë dalë disa projekte se si mund të jetë ky stadium, por përfundimtari pritet të mësohet vetëm në vijim. Gjithsesi, ky është një lajm i mirë për tifozët e Kukësit, që të paktën tashmë kanë lajmin se ndërtimi i stadiumit do të financohet.
FJALA E EDI RAMËS SOT NË KUKËS
“Patjetër që do të kishte qenë mirë që Kukësi të kishte stadiumin e vet kur doli kampion apo që skuadra e Kukësit të mos jetë e detyruar të shkojë e te luajë në Elbasan ndeshjet ndërkombëtare apo të shkojë e të luajë aty ku luan me çantë në krahë sikur janë skuadra refugjatësh brënda Shqipërisë.
Mirëpo gjërat bëhen kur jepet mundësia, tani e kemi mundësinë të ndërtojmë stadiumin e ri të Kukësit dhe do ta ndërtojmë. Kemi përcaktuar financimin, do bëjmë stadium model, stadium të standarteve që kërkon UEFA në mënyrë që jo vetëm të keni atë që ju takon të gjithë sportdashësve të Kukësit, jo vetëm të ketë atë që i takon këtij qyteti por edhe kur ju takon të luani në aktivitete ndërkombëtare të luani këtu në Kukës.
Stadiumi nuk është thjesht për sportdashësit por është për komunitetin dhe ekonominë sepse vetëm nga lëvizja që krijohet, pasi po diskutonim dhe me presidentin e klubit të Kukësit, aeroporti sjell 300 mij kafe në vit më shumë, simbolikisht tregon se çfarë lëvizje dhe ekonomie qarkullon në aeroport.
Po keshtu lëviz ekonominë, edhe me sportin aq më tepër kur qyteti ka një skuadër që i mbron ngjyrat e komunitetit ku kjo krijon edhe një lidhje pasi bota investon në këtë lloj sporti me të drejtë.”