MENU
klinika

Rrëfimi i kampionit të botës

Elis Guri: Nuk bëhet sport me bukë e djathë

26.10.2018 - 22:32

Sot ai ka mbetur në burg nga vendimi i Gjykatës, pas arrestimeve të bujshme që u kryen nga mega-operacioni “VOL-VO 4” thuajse në të gjithë Shqipërinë. Elis Guri, kampioni i botës në mundje në vitin 2011, akuzohet trafik të lëndëve narkotike dhe bashkëpunim me organizatë kriminale.

Guri u rikthye në Shqipëri para dy vitesh nga Bullgaria, vend që i dha pasaportën dhe ai u shpall kampion bote me ngjyrat e flamurit të këtij vendi. I biri i një emri të madh në mundjen shqiptare, Eljaz Gurit, Elisi kishte mbyllur karrierën sportive dhe ishte fokusuar në projekte të reja.

Vitin e kaluar, në një rrëfim ekskluziv për “Konica.al”, Guri ka treguar odisenë e tij, përjetimin pas largimit nga vendi, kurorëzimin si Kampion Bote dhe rikthimin e tij së fundmi. Për të, gjërat në Shqipëri kanë ecur, disa prej tyre edhe mbrapsht, sidomos sporti. Sipas tij, nuk mund të bëhet sport me bukë e djathë.

elis guri
elis guri

Intervista e vitit të kaluar për Konica.al:

–  Elis prej vitesh ke qenë Kampion Kombëtar, sportist Olimpik me Shqipërinë, medalist në Evropë dhe në 2009 u largove. Çfarë ndodhi?

Guri: Edhe pse shumë pak e dinë, asnjëherë s’kam dashur të largohem nga vendi im. Më detyruan! Më hoqën të drejtën për të bërë sport, me një dënim absurd 2 vjeçar, pa të drejtë për të garuar. Këtë e bënë ata që duhet të më përkrahnin më shumë, KOKSH, për arsyen e vetme se kërkoja të drejtat e mia si sportist.

Vetëm ata që bëjnë sport mund ta kuptojnë se çdo të thotë një dënim i tillë, nënkupton fundin e karrierës. Në këtë situatë u detyrova të pranoj ofertën që më bëri shteti bullgar, për të realizuar ëndrrën time si Kampion Bote.

guri elis
guri elis

– Çfarë ndodhi pasi pranove ofertën bullgare? Cili ishte përjetimi yt si sportist për këtë ndryshim?

Guri: Në fillim isha si çdo shqiptar tjetër jashtë shtetit “emigrant”. Lashë familjen, shoqërinë dhe çdo gur themeli që kisha ndërtuar këtu dhe më duhet t’ia nisja nga e para. Më duhej të mësoja gjithçka nga e para, gjuhën, zakonet, të krijoja miqësi.

Ky ka qenë momenti më i vështirë për mua si individ. Për sa i përket aspektit të sportit, ishte një parajsë. Një ëndërr që bëhet realitet.

Kisha gjithçka që pata ëndërruar kur bëja sport të Shqipëri, trajnerë shumë të përgatitur, mjekë sportivë, ambiente perfekte për t’u stërvitur si dhe përkujdesjen e të gjitha strukturave sportive të shtetit bullgar. Vetëm brenda dy viteve arrita të kap majën dhe të kurorëzohem Kampion Bote.

elis guri
elis guri

– Një shqiptar Kampion Bote për Bulgarinë, cili ishte sekreti i tyre?

Guri: Shteti bullgar ka një përkushtim të veçantë ndaj sporteve. Politika në Shqipëri kujtohet për sportin vetëm kur iu duhen foto fushate. Po e them popullorshe, nuk bëhesh dot Kampion Bote me bukë e djathë.

– Elis rasti yt nuk është i izoluar. Si ka mundësi që sportistët shqiptarë arrijnë të shpallen Kampion Evrope, Kampion Bote, vetëm pasi largohen nga Shqipëria?

Guri: Natyra është treguar bujare me ne shqiptarët. Vendodhja jonë gjeografike si dhe tipologjia jonë gjenetike ka përcaktuar shumë tipare që shërbejnë në sport. Egoja jonë, “egërsia” për shkak të maleve, ka ndikuar në brymosjen tonë. Ne jemi të gjatë si popull, të fortë fizikisht dhe nuk heqim dorë.

Shkurt, natyra na ka gatuar për të prekur majën, por ky vend të mban peng dhe me këtë nënkuptoj që vendin e bëjnë njerëzit. Me shumë pak punë, me një dozë më të madhe vullneti dhe dashamirësie jam i sigurt që Shqipëria do kishte shumë Kampion Evrope, Bote dhe Medalistë Olimpikë.

guri elis
guri elis

– Elis pse u ktheve sërish në Shqipëri?

Guri: Për të njëjtat arsye pse u largova. Familja ime, shoqëria dhe dashuria që të kontribuoj për këtë vend. Ika si i dënuar dhe po rikthehem si Kampion Bote. Për t’u treguar të gjithëve që problemi nuk janë sportistët, por strukturat e sportit. Shqiptarçe, fajin e ka shteti!

– Cili është pengu yt më i madh?

Guri: Pengu im i jetës është që nuk u kurorëzova Kampion Bote me flamurin shqiptar. Do doja që në atë podium shpatullat e mia të ishin të mbuluara me flamurin kuqezi.

guri elis
guri elis

– Tani që je rikthyer, çfarë projektesh ke për të ardhmen?

Guri: Me pjesëmarrjen në Olimpiadën “Rio 2016” kam mbyllur ciklin tim si sportist. Tani jam i fokusuar të jetoj dhe pak jetën dhe në aspekte të tjera (qesh).

Projekti kryesor që kam për të ardhmen është që eksperiencën që kam përfituar përgjatë këtyre 15-17 viteve si sportist ta vë në dobi të sportit shqiptar. Që nesër një tjetër “Elis” mos ikë nga Shqipëria, mos thotë ky vend s’bëhet. Vendin e bëjnë njerëzit.

Elis Guri është 9 herë Kampion Shqipërie përgjatë viteve 2001-2009. Ai është fitues i Medaljes së Bronzit në Kampionatin Evropian 2008. Vendi i 8 në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”. Kampion Bote për Bullgarinë në Turqi 2011.