Presidenti i Turqisë, Recep Tayyp Erdogan gjatë një fjalimi në Parlamentin e Turqisë përmendi edhe raportet me vendet e Ballkanit, të cilat ai i konsideroi vende mike të Turqisë.
President turk tha se vendi i tij po përpiqet të ndërtojë marrëdhënie të afërta me shtetet mike të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.
“Në Ballkan, ne bëjmë përpjekje të krijojmë marrëdhënie të afërta me të gjitha shtetet që i konsiderojmë mike, siç janë Bosnjë dhe Hercegovina, Serbia, Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi”, tha Erdogan në hapjen e sesionit të dytë legjislativ të Parlamentit në Ankara.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në New York në Samitin e Paqes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, u takua të enjten me 27 shtator edhe me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të cilin e ka njoftuar për zhvillimet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi, ka deklaruar se kishte biseduar me Erdoganin për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh, për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të përbashkët.
Ndër të tjera në këtë takim është diskutuar edhe për ndihmën që Turqia do t’i ofrojë Kosovës për integrimin në INTERPOL dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, presidenti i Turqisë, Recep Erdoğan ka thënë se ai do të angazhohet personalisht në shtimin e numrit të njohjeve për Kosovën.