Një nga ndeshjet epike të Kombëtares shqiptare padyshim është ajo ndaj Gjermanisë Perëndimore më 17 dhjetor 1967. Hera e fundit që Shqipëria kishte pasur sukses në arenën ndërkombëtar ishte Ballkaniada e vitit 1946, por kishin kaluar plot 20 vite dhe futbolli shqiptar kishte ngecur në vendnumëro.
Gjermania Perëndimore e asokohe ishte shumë e fortë, një vit më parë ishte shpallur nënkampione bote, teksa e mposhti Anglia në finale 1966, 4-2. Gjermania Perëndimore vinte në atë ditë dimri me emra shumë të njohur, si Netzer, Schultz, Peter Meyer e shumë të tjerë.
Gjermanëve u duhej patjetër fitorja, pasi Jugosllavia kryesonte grupin dhe, nëse nuk merrte fitoren, mbetej jashtë Europianit 1968. Kombëtarja shqiptare, me Zhegën, Bizin, Rragamin, Panon e të tjerë rezistoi fort, madje shënoi edhe gol, por arbitri nuk e akordoi, pasi gjykoi se nuk e kishte kaluar vijën fatale.
Shqipëria barazoi 0-0 dhe Gjermania Perëndimore për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore nuk merrte pjesë në finalet e një evenimenti të madh, si Botërori apo Europiani.
Kuqezinjtë luajtën pa kompromis dhe për tifozët. Gjermanët e komentuan ndryshe asokohe, sikur Shqipëria luajti për Jugosllavinë, por ata nuk mund të kuptonin se për shqiptarët ishin gjithë njësoj.
Ish-futbollisti i famshëm i përfaqësueses së Republikës Federale Gjermane të viteve ’60-’70, Günter Netzer, ka kujtuar kështu atë barazim: “Kombëtaret e vogla mund të bëhen pengesa të jashtëzakonshme në rrugën e një kombëtareje të madhe.
Historia e futbollit është e mbushur me raste të tilla dhe me dekada të tëra përbuzje e tallje. Unë nuk do ta harroj kurrë kur luaja për RFGJ-në në vitin 1967, ndeshjen që barazuam 0-0 kundër Shqipërisë në kualifikueset e Kampionatit Europian.
Pikërisht ai barazim në Tiranë solli edhe eliminimin e kombëtares gjermane nga Kampionati Europian, një përfaqësuese e mbushur me emra që disa vite më vonë do të dominonin futbollin botëror, duke fituar, si Kampionatin Europian, ashtu edhe Kupën e Botës.”
Gjermania na kishte mundur 6-0 në ndeshjen e parë, të zhvilluar në Dortmund, ndaj kuqezinjtë tanë ishin betuar për të vënë nderin në vend, madje donin ta fitonin ndeshjen.
Frederik Gjinali shënoi një gol fantastik, por çuditërisht gjyqtari austriak Ferdinand Marschall vazhdoi lojën, sikur të mos kishte ndodhur gjë. Mendojeni pak, një gjyqtar austriak në atë kohë drejtonte të tillë ndeshje!
Ja si e kujton komentatori ynë i famshëm Ismet Bellova: “Unë bërtita gol. Pashë që topi kaloi vijën fatale. Entuziazmi ishte i paparë në stadium, njerëzit u ngritën duke brohoritur dhe më zunë pamjen nga kabina e transmetimit, u detyrova të ngrihem në këmbë dhe shoh gjyqtarin që bënte me shenjë vijimin e lojës. Ulem shumë i mërzitur dhe korrigjoj që nuk ishte gol, sepse kështu mendon gjyqtari.”
Edhe fotografi pas porte tregon që ishte gol: “Ishte moment i shpejtë, pavarësisht shkrepjes, unë e pashë që topi kishte kaluar vijën fatale. Isha afër. Sado që e kisha mendjen te fotografia, u duk që ishte gol. Unë nuk jam specialist, por e kam thënë që atëherë që ishte gol. Keqardhje e madhe, por të paktën arrita të kem një foto.”
Edhe futbollistët e kanë pranuar që ishte gol, ndërsa autori Frederik Gjinali ka pohuar se nuk u besonte syve se si mund të mos akordohej ai gol. Për fat të keq, edhe pse ka pamje filmike, është xhiruar vetëm me një kamer nga tribuna dhe ky rast mungon. Por edhe sikur të ishte filmuar, nga pozicioni i kamerës vështirë të dallohej nëse ishte gol apo jo.
PËRBALLJET SHQIPËRI-GJERMANI
01.05.1958 Tiranë Shqipëri – RDGJ 1-1 (Miqësore)
08.04.1967 Dortmund RFGJ-Shqipëri 6-0 (El.Europian)
17.12.1967 Tiranë Shqipëri-RFGJ 0-0 (El.Europian)
17.02.1971 Tiranë Shqipëri-RFGJ 0-1 (El.Europian)
12.06.1971 Karlsruhe RFGJ-Shqipëri 2-0 (El.Europian)
07.04.1973 Magdeburg RDGJ-Shqipëri 2-0 (El.Botëror)
03.11.1973 Tiranë Shqipëri-RDGJ 1-4 (El. Botëror)
01.04.1981 Tiranë Shqipëri-RFGJ 0-2 (El. Botëror)
18.11.1981 Dortmund RFGJ-Shqipëri 8-0 (El. Botëror)
30.03.1983 Tiranë Shqipëri-RFGJ 1-2 (El.Europian)
20.11.1983 Sarbrücken RFGJ-Shqipëri 2-1 (El.Europian)
16.11.1994 Tiranë Shqipëri-Gjermani 1-2 (El.Europian)
18.12.1994 K’lautern Gjermani-Shqipëri 2-1 (El.Europian)
02.04.1997 Granada Shqipëri-Gjermani 2-3 (El.Europian)
11.10.1997 Hannover Gjermani-Shqipëri 4-3 (El. Botëror)
24.03.2001 Leverkusen Gjermani-Shqipëri 2-1 (El. Botëror)
06.06.2001 Tiranë Shqipëri-Gjermani 0-2 (El. Botëror)
TOTALI: 17 Ndeshje, 2 barazime, 15 fitore për Gjermaninë, 0 për Shqipërinë.
GOLAVERAZHI: 45-12 për Gjermaninë