MENU
klinika

Risia e Ligës së Kombeve

FIFA, elozhe Kosovës: E ardhmja, e ndritur!

18.10.2018 - 15:50

Kosova ka bërë një paraqitje fantastike këtë vit, sidomos në Ligën e Kombeve, teksa kryeson grupin e vet dhe shanset janë për ta mbyllur në vendin e parë. Faqja zyrtare e FIFA-s ka publikuar një artikull, ku flitet për ngritjen e Dardanëve. Në këtë artikull, protagonist është kapiteni i Kombëtares, Samir Ujkani…

Kosova e shpalli Pavarësinë para më shumë se dhjetë viteve, megjithatë iu nevojitën edhe tetë vite të tjera para se Kongresi i FIFA-s ta pranonte në familjen e futbollit ndërkombëtar.

Tani, Kosova i ka vënë vetes disa synime mjaft ambicioze dhe duket se është në rrugën të drejtë për sukses. Dardanët kishin kaluar në një periudhe të vështirë gjatë fazës kualifikuese për Kupën e Botës, duke e marrë vetëm një pikë nga 10 ndeshje.

Megjithatë, kjo gjë pritej për shkak se rivalët në grup kishin skuadra mjaft të mirë: Kroacia, Turqia, Islanda, Ukraina dhe Finlanda.

“Duhet ta mbani mend se ne filluam me asgjë. Federata jonë ka bërë një punë të mrekullueshme gjatë viteve të fundit. Stadiumi tani është licensuar dhe ne e kemi ligën tonë. Ne mund ta zhvillojmë stilin tonë të lojës dhe lojtarët kanë filluar të kenë më shumë përvojë”, – thotë Ujkani, kapiteni i Kosovës.

Kosova është ngjitur në vendin e 138-të, por muajin tjetër mund të jetë akoma më lart. Nën menaxhimin e trajnerit Bernard Challandes, i cili u emërua si pasues i Albert Bunjakut para rreth një viti, Kosova ka arritur vendin e parë në grupin e tretë të Ligës D të Ligës së Kombeve, dhe shpreson se do të mund të promovohen në Ligën C.

kosova
kosova

“Jemi shumë të lumtur me këtë dhe mendoj se mund të arrijmë edhe në top 100 vendet më të mira të FIFA-s pas disa muajve. Ky është qëllimi ynë. Pasi ta arrijmë këtë, do të vendosim synime të tjera”, – është shprehur Ujkani.

“Puna jonë është t’i mbajmë të tjerët të lumtur, pasi që ne jemi të suksesshëm kur jemi në humor të mirë. Ne duhet të punojmë si ekip dhe të kalojmë mirë së bashku. Edhe kur lojtarët e rinj janë në stol, unë tentoj të flas me ta dhe të krijoj një atmosferë pozitive. Ne jemi si familje. Pas dy apo tre viteve, Kosova do të jetë përmirësuar mjaftueshëm.”

Kampionati Evropian i vitit 2020, i organizuar nga UEFA, është një ëndërr të cilën Kosova po tenton ta bëjë realitet.

“Në fillim, tifozët tanë nuk kishin durim dhe menduan se ne do të arrinim ta fitonim grupin për t’u kualifikuar në Kupën e Botës menjëherë, por askush nuk mund ta priste një gjë të tillë. Kemi mësuar shumë nga kjo, kur duhet ta sulmojmë kundërshtarin dhe kur të mbrohemi”, ka shtuar Ujkani.

kosova ishujt faroe
kosova ishujt faroe

 

“Kur Azerbajxhanit, para disa javëve, ne vetëm e largonim topin nga zona për t’u larguar presionin nga kundërshtari. Ky ishte një mësim i vlefshëm për mua dhe bashkëlojtarët e mi, tani po tentojmë ta gjejmë baraspeshën mes sulmit dhe mbrojtjes”.

“Liga vendore na ndihmon shumë me këtë gjë. Lojtarët janë duke u rritur me rolet e tyre dhe janë duke u sfiduar te klubet e tyre, dhe kjo, natyrisht, i ndihmon edhe Kombëtares”.

Me top 100-en para syve, Kampionatin Evropian në mendje, synimet ambicioze dhe pritshmëritë e larta, nuk ka asnjë dyshim që Kosova është duke u përmirësuar.

Kur u pyet se me cilat Kombëtare do të dëshironte të ndeshej ndonjë ditë, kapiteni 30-vjeçar u përgjigj: “Brazilin ose Argjentinën! Ne do të ndeshemi me kombëtaret evropiane gjatë ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian, por një duel me Lionel Messi, Neymar dhe lojtarë të tjerë të klasit botëror, do të ishte e mrekullueshme për vendin”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN