MENU
klinika

Kinema Millenium

‘Azizi’, filmi që tregon terrorin komunist ndaj shqiptarëve

25.10.2018 - 13:14

Sot, më datë 25 Tetor 2018, ora 17:00, në Kinema Millenium, shfaqet filmi “Azizi”.

Me mbështetjen e një fondacioni të huaj, ky film është është prodhuar nga Luljeta Progni në bashkëpunim me regjisorin Gentian Kurti.

Filmi zbulon atë që është fshehur për 70 vjet nga pushtetarët shqiptarë, terrori komunist ndaj shqiptarëve të pafajshëm: grave, fëmijëve dhe të moshuarve duke fokusuar kamerën në vitet 1948 –1954, në disa prej kampeve më famëkeqe të diktaturës shqiptare: Kuçovë, Berat, Turan dhe Tepelenë.

Subjekti i filmit “Azizi” është ngritur nëpërmjet rrëfimeve të të mbijetuarve nga kampet më famëkeqe në vitet e para të persekutimit nga regjimi komunist i sapovendosur në Shqipëri.

Historia përshkruan ngjarjet e një prej të mbijetuarve, Azizit, ndërthurur edhe me rrëfimet nga të mbijetuarit e tjerë. Gjatë 90 minutave, historia tregohet pa ndryshuar asnjë emër, kronologji, apo episod.

Personazhet në film janë me emrat e tyre të vërtetë, ngjarjet që zhvillohen dhe dialogu mes personazheve është gjithashtu ai i dokumentuar në kujtesën e tyre dhe skenografia e mbështetur mbi artefaktet e kohës.

Drama që zhvillohet, përfundon me një episod shpresëdhënës, kur Azizit i lind fëmija e parë në internim, shpresë që personazhi kryesor në fund të një interviste e quan të humbur.

Filmi është në gjuhën shqipe me titra anglisht.

Hyrja falas!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pret nominimin për “Oscar”

“Gardhi” nga Kosova triumfon në SHBA