MENU
klinika

‘’Ditët e Naimit’’

Frashëri në harresë në festivalin e 22-të

17.10.2018 - 11:09

Mbahet edicioni i 22-të i Festivalit ndërkombëtar të Poezisë ‘’Ditët e Naimit’’ në Tetovë dhe në Pogradec prej datës 18-22 tetor 2018. Në këtë festival do të mbahen 5 libra të rinj, do të ketë aktivitete në monumentet kulturore, historike, si dhe dhe të ketë katër lexime letrare.

Hapja do të bëhet te enjten në orën 19.30, përmes një performance fishekzjaresh para Qendrës së Kulturës “Naim Frashëri”, në Tetovë.
Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, laureati zviceran Beat Brechbuhl, ministri kulturës Asaf Ademi, kryetarja e Komunës së Tetovës zonj. Teuta Arifi si dhe një delegacion nga Komuniteti Bektashian do të vendosin buqete lulesh para shtatores së poetit “Naim Frashëri”.


Në hapje të këtij Edicioni, aktori Arsim Kaleci do të recitoj poezinë “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit, ndërsa nga një pikë muzikore me piano, violinë dhe në flautë do të ekzekutojnë virtuoz të muzikës klasike.

Ky event nderohet nga shumë shtete si Zvicër, Portugali, Islandë, Kolumbi, Poloni SHBA, Izrael etj. Përveç leximit të poetëve do t’i ndahet edhe çmimi i madh letrar dhe do t’i jepet titulli Anëtar Nderi, lauretit të këtij viti, poetit zviceran Beat Brechbuhl. Gjithashtu do të ndahet edhe çmimi letrar “Ditët e Naimit”.

Ky festival do të mbështetet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë, Komuna e Tetovës, Bashkia e Pogradecit.

Dangëllia si mund ta presë Festifalin e 22-të dhe gjithë zonën përreth

Megjithëse zona e Dangëllisë, ku është dhe fshati Frashër, është një nga zonat më të pasura natyrore, kulturore ajo rri në harresë përkundër festivalit të 22-të me temë ‘’Ditët e Naimit’’ që do të mbahet në Tetovë dhe Pogradec.

Naimi qëndronte para qiririt dhe u shkri për shqiptarët por zona nga ku u lind ai dhe shumë figura të shquara të nacionalizmit kombëtar është lënë në harresë me forcën e fishekzjarreve që do të shpërthejnë në Tetovë. Nga Tetova e Pogradeci me një trok kali arrin në Dangëlli, po Frashëri rri në harresë.

Gjithë ky festival ku do të marrin pjesë shumë vende të botës, përton të shkojë aty ku Naimi ka dashur të shkel më shumë se kurrë, në Dangëlli.

Nën freskun e vjeshtës flautistët dhe violinat do të çlodhnin dhe arinjtë e bredhit të Hotovës që janë mërzitur pa parë njerëz me sy. Fshatarët do të kundronin me qejf performancat për të ndriturin Naim, dhe e gjithë zona që nga Kolonja, Korça, Përmeti e Leskoviku, si dhe bektashinjtë e Ali Postenanit do të kërcenin tok me fëmijët.

Edhe Beu i Vinjaut do të ngjallej nga varri tok me Beun e Këlcyrës e do të vjershëronin ‘’Bagëti e Bujqësi’’ sa të linin të shtangur e të habitur vizitorët e huaj të shumë vendeve të botës që marrin pjesë në këtë festival ndërkombëtar.

Duke zbritur më pas në kanionet e Bënjës do të dilnin në Vjosë duke vjershëruar tok të gjithë bashkë me kryetarin e bashkisë së Përmetit që do t’i qeraste me gliko Përmëti të shoqëruar me një gotë verë Përmeti, nga ajo verë që Përmeti di ta bëjë mirë, si ajo e Leskovikut. 

Kush të dojë dhe raki nga zona e Frashërit, rakia më e mirë. Tok të gjitha bashkitë e pjesmarrësit, njerëzit e gëzuar do të vjershëronin. Më pas do të ndaheshin dhurata e libra për të dituruar naimët e rinj. Shumë do ishin vjershëruar.

Është për t’u çuditur që me shtimin e aktiviteteve kushtuar figurës së ndritur të nacionalizmit shqiptar shikojmë se me po atë forcë shtëpia e vëllezërve Frashëri në Frashër të Përmetit në zonën e Dangëllisë harrohet.

Një aktivitet i këtyre përmasave do të ishte mirë që ndonjë natë të marshonte në zonën e DangëllIsë ku patriotizmi dhe letërsia ka dhënë një kombi të tërë vlera kombëtare. Jo vetëm një kombi po rezonanca e tyre shtrihet përtej kombit.

Kjo zonë është e harruar, duhet të ishte panteon i çmimeve letrare kombëtare. Ajo i ka dhënë atdheut shumë figura të ndritura. Aty të hidheshin fishekzjarret e të zhvilloheshin bisedat për shqiptarizmin dhe analizat letrare.

Në shtëpinë e vëllezërve Frashëri të ndaheshin edhe çmimet e festivalit e të ndihesh edhe kujtesa për vlerat letrare kombëtare. Edhe Naimi do të ngjallesh i gëzuar e të shkrihej si qiriri për ne të gjithë me të pranishmit. Dhe ky festival do të merrte rrugë të ndritur ligjëruese, aty ku balta është më e ëmbël se mjalta, në Dangëlli.

nga Eugent Kllapi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit