MENU
klinika

Strategji Mbretërish

Glauku, mbreti ilir fitimtar në intrigat e kohës

07.10.2018 - 14:54

Mbretëria e Glaukut, midis Apolonisë dhe Dyrrahut ishte nga më të rëndësishmet në Iliri për arsye se kishte linjën kryesore të shpërndarjes së mallrave, pozitën gjeografike detare, si dhe ndërlidhjen midis Maqedonisë dhe Korkyras. Për këtë dhe shumë arsye të tjera politike të brendshme dhe të jashtme, Glauku gjithmonë u gjend në marrëveshjet dhe luftrat e kohës. Midis të tjerave për të thuhet:

Mbretëria Qendrore apo shteti ilir nën dinastinë e Glaukut (335-270 p.e.s) luan një rol aktiv në skenën politike të Ilirisë dhe më tej të gadishullit. Kjo lidhet ngushtë me emrin e titullarit të saj që, siç thamë në trajtimin për mbretin Bardhyl, shfaqet në burimet e kohës, përkrah Klitit në aleancën kundër Aleksandrit në Pelion në vitin 335 p.e.s., dhe më pas si strehues i Klitit pas disfatës dhe zjarrit në Pelion.

Nuk ka të dhëna për veprimtarinë e Glaukut pas vitit 355 deri më 317 p.e.s., kur ai strehon Pirron e ri, të birin e Aiakidit. Sipas Diodorit, Pirro dyvjeçar nuk mund të qëndronte më në Epir pas rrëzimit nga froni të atit të tij sipas ‘’një vendimi të përbashkët’’ të epirotëve, por në realiet ai u rrëzua nga Kasandri i Maqedonsië.

Mbretëria taulante apo shteti ilir i vijueshëm, gjendej në kufijtë e Epirit, çka sillte marrëdhënie të dendura mes dy entiteteve shtetformuese. Këto marrëdhënie ishin shprehur edhe në martesat mes familjeve mbretërore, pasi Glauku ishe martuar me Berojën, princeshë aiakide.

Në raportin politik me jashtë, strehimi i Pirros nga Glauku tendoste marrëdhëniet me Maqedoninë për rrethanat e asakohshme, përsa kohë Pirro nuk ishte ngjitur në fronin e Epirit.

Duket e drejtë vërejtja ‘’Është e sigurt se Glauku nuk u shty ta merrte përsipër këtë strehim të Pirros as për shkak të lidhjeve familjare e as nga dhembshuria para një fëmije pa mbrojtje dhe pa ndihmë… Për të Maqedonia ishte armiku natyror: duke strehuar Pirron, ai shtinte në lojë një letër të rëndësishme kundër Kasandrit (që drejtonte asakohe Maqedoninë).

 

Dhe vërtet konflikti mes Glaukut dhe Kasandrit u intesifkua në vitin 314, kur ky i fundit i diktoi Glaukut një traktat asnjëanësie në lidhje me Epirin, pasi Apolonia me sulm dhe në Dyrrah u vendos një garnizon. Kështu Kasandri bëhej zot i dy qyteteve ndër më të rëndësishmit në Adriatik.

Por një vit më vonë, Glauku gjendet përsëri para mureve të Apolonisë dhe, me ndërmjetësinë e spartanëve, pranoi të heqë rrethimin dhe të lidhë me apolloniatët një traktat paqeje.

Ndërkohë vetë apolloniatët dhe dyrrahasit ngrenë krye kundër maqedonëve dhe dëbojnë garnizonet e tyre nga qytetet, sipas Diorit, një rol në këtë zhvillim kanë korkyrasit që ‘’çliruan Apolloninë, kurse Epidaminin ia dorëzuan Glaukut, mbretit të ilirëve’’.

Kjo shpjegohet me interesat e tyre për të mos lejuar daljen e maqedonëve në Adriatik. Edhe pse mbreti maqedon shpejtoi për të rivendosur gjendjen në favor të tij, apolloniatët ishin lidhur tashmë me ilirët, po sipas Diodorit, dhe i bënë ballë forcave të mëdha të tij.

Apollonia, ashtu si dhe Epidamni, praktikisht pas këtij zhvillimi u futën nën zotërimin e Glaukut, i cili bëhet kështu zotërues i këtyre dy qyteteve të mëdha, të njohura edhe si koloni Helene, por që për mendimin tonë duhen vështruar në një optikë tjetër, siç thamë më lart.

Vendosja e Pirros në fronin e Epirit, shpreh edhe njëherë synimet dhe interesat politike që Glauku i kishte caktuar për politikën e shtetit të tij, pas fitores mbi Kasandrin dhe vendosjes së kontrollit mbi dy qytete aq të rëndësishme si Apollonia dhe Dyrrahu.

Në këndvështrimin e tij politik, i duhej të shkëpuste Epirin nga ndikimi maqedon dhe ta kthente atë në një aleat që i siguronte një pozitë të favorshme në kufijtë jugorë. Këtë e realizoi në vitin 307 p.e.s., kur me një ushtri të madhe hyri në Epir dhe, pasi fashiti kundërshtimet e palës promaqedone atje me Alketën në krye, vuri në fronin e mbretërisë Pirron 12 vjeçar. Glauku kështu arriti të kurorëzojë gjithë veprimtarinë politike që zhvilloi në mënyrë të dendur për rimëkëmbjen dhe forcimin e pozitës së mbretërisë së tij.

Gjatë mbretërimit të Glaukut, mbretëria ilire përjetoi ditë lavdie dhe u bë një shtet i fuqishëm, që shtrihej nga kufijtë me Maqedoninë dhe Epirin e deri në brigjet e Adriatikut. Karakteristikë e sundimit të tij është shtrirja e sovranitetit që ai drejtone mbi Epidamnin dhe Apolloninë.

Ndërkohë që në këtë qytet shihet të shumëfishohen lidhjet me taulantët si dhe me grupime të tjera më të largëta ilire. Ilirët tashmë në qytet jo vetëm kishin të drejta të njëllojta me helenët e ardhur nga Korkyra, por zunë vende edhe në qeverisjen e qytetit, duke u bërë deri dhe pritanë. Mbas shekullit IV, në udhëheqje të qytetit gjenden nëj varg ilirësh nën emrat Genth, Preurad, Falkrion etj.

Njoftime të tjera për mbretërimin e tij nuk ka në burimet e kohës, por në mënyrë deduktive mund të themi se ishte ende në krye të mbretërisë në vitin 302 p.e.s., kur Pirro pëson rrëzimin e dytë pasi ishte larguar nga vendi për të marrë pjesë në dasmën e djalit të Glaukut.

Po ashtu, disa vjet më vonë, Pirro martohet me bijën e mbretit Bardhyl, Brikenën, në vitin 292 p.e.s. Ky mbret i ri nuk argumentohet në burime tjera, dhe vetëm mund të supozohet se është një pasardhës i Glaukut, të dhëna këto që nxirren nga Plutarku.

Shkëputur nga ”Mbretëri dhe mbetër ilirë”

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit