Fituesi i US Open në golf, Brooks Koepka, dëmtoi rëndë një spektator në fillim të edicionit të 42-të të Ryder Cup, që po zhvillohet në rrethinat e Parisit. Aksidenti ndodhi në ndeshjen hapëse të turneut, kur Koepka tentoi një goditje që nuk shkoi sipas parashikimeve, sepse topi fluturoi drejt spektatorëve.
Tani AFP franceze raporton se një spektatore, Corine R., është goditur keq në sy dhe ka humbur shikimin, çka ka bërë që ajo të ndjekë rrugë ligjore kundër organizatorëve të Ryder Cup.
“Mjekët më thanë që kam humbur shikimin në njërin sy. Topi erdhi aq shpejt, saqë nuk ndjeva dhimbje kur më goditi, thjesht ndjeva gjakun që po rridhte. Ekzamimimi ka konfirmuar dëmtimin e rëndë”, – tha 49-vjeçarja, e cila kishte udhëtuar nga Egjipti për të ndjekur turneun e famshëm të golfit.
Tashmë tifozja e pafat kritikon organizatorët e turneut, pasi nuk e kanë kontaktuar fare, pa harruar të shtojë që askush nuk i paralajmëroi tifozët që mund të kishte topa që shkonin drejt turmës. Për këtë arsye, ajo po ndjek rrugët ligjore, për të marrë dëmshpërblim financiar, të paktën për shpenzimet mjekësore.