Qeveria shqiptare prezantoi të martën studimin e realizueshmërisë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës – Rrogozhinë – Elbasan – Pogradec, financuar nga fondet e Komisionit Evropian.
Gjatë fazës s ëparë u krye vlerësimi i para-realizueshmërisë për të gjithë linjën hekurudhore 151km, 72km e parë të të cilës ndërmjet Durrësit – Rrogozhinës – Elbasanit janë në punë sot. Pjesa e mbetur prej 79 km nga Elbasani në Pogradec nuk janë në funksion për shkak të gjendjes të keqe të linjës dhe të strukturave (urave dhe tuneleve) përgjatë saj. Segmenti Durrës – Rrogozhinë u vlerësua me prioritet më të lartë për ndërhyrjet e rehabilitimit.
Gjatë fazën së dytë, u përgatitën projekti paraprak dhe analiza përkatëse e kosto përfitimit për segmentin prioritar Durrës – Rrogozhinë, së bashku me vlerësimin paraprak të ndikimit në mjedis, përgatitur sipas kuadrit ligjor vendas.
Segmenti i linjës Durrës – Rrogozhinë është i gjatë 33.5 km. Kostoja e rehabilitimit vlerësohet në 52 milionë euro. Rehabilitimi i këtij segmenti me prioritet të lartë do të përmbushë standartet e projektimit të Rrjetit Ndër Evropian me shpejtësi 100km/h dhe ngarkesë aksi 22.5 ton. Koha e udhëtimit do të reduktohet nga 60 minuta në 32 minuta. Lëvizja përgjatë këtij segmenti pritet të arrijë 330,000 pasagjerë dhe 1.1 milionë tonë mallra deri në vitin 2047.
Vlera e përllogaritur në kursimin e kohës për përdoruesit e sistemit të transportit shqiptar do të jetë 0.65 milionë europër udhëtarët dhe 15.3 milionë euro për transportin e mallrave. Kursime shtesë nga zvogëlimi i kostos të operimit të automjeteve në transportin rrugor përllogariten në 0.5 milion euro për udhëtarët dhe 8.7 milionë euro për transportin e mallrave.
Rehabilitimi i të gjithë linjës hekurudhore do të ndikojë në zhvillimin e transportit strategjik multimodal për Ballkanin Perëndimor. Linja hekurudhore Durrës – Elbasan – Pogradec me linjën e re nga Lini në kufi me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë është pjesë e Korridorit VIII Pan-Evropian. Ajo lidh kryeqytetet Tiranë, Shkup dhe Sofje si dhe portin e Durrësit në detin Adriatik me portet e Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi.
Përgatitja e këtij studimi është mundësuar nga Komisioni Evropian me një grant prej 720,000 euro dhënë Shqipërisë nga fondet rajonale të Instrumentit të Paraaderimit (IPA) financuar nëpërmjet Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.