MENU
klinika

Shifrat në rritje

Importet e luleve, 2.5 milionë euro

23.10.2018 - 09:33

Importi i luleve ka njohur rritje gjatë vitit 2017, duke iu përgjigjur kështu edhe kërkesës në rritje të qytetarëve. Kështu, referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, vitin që lamë pas janë importuar 654 tonë lule, nga 572 që janë importuar gjatë 2016-ës.

E përkthyer në vlerë monetare, gjatë vitit 2017 janë importuar 315 milionë lekë (2.5 milion euro) lule të prera dhe gonxhe lulesh nga rreth 260 milionë lekë të importuara në vitin 2016. 

Në këtë zë të importeve bëjnë pjesë vetëm lulet që përdoren për buqeta dhe zbukurime nga dyqane të ndryshme. Listën e shteteve kryesore nga ku furnizohet tregu shqiptar e kryeson Italia me 95 milionë lekë, megjithëse ka pasur rënie krahasimisht me vitin paraardhës, më pas renditet Hollanda, Kenia, Greqia dhe Kolumbia. Ndërsa gjatë këtij viti ka filluar kërkimi i tregjeve të reja si Meksika, Zimbvave, Guatemala, Etiopia, Kosta Rika.

Krahasimisht me importin, eksporti i luleve është në vlerë tejet të ulët. Kështu gjatë 2017, sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, janë eksportuar 19 tonë lule, me vlerë 88 mijë euro, ndërsa gjatë vitit 2016 nuk ka pasur fare eksporte.