MENU
klinika

Albert Çaçi

India, S-400 dhe implikacionet gjeopolitike

10.10.2018 - 13:41

India më në fund i dha fund dyshimeve dhe vendosi blerjen e 5 baterive S-400 me një vlerë 5,6 miliardë dollarë  nga Rusia. Me gjithë presionin e madh të SHBA duke e kërcënuar për t’i vendosur sanksione, India bëri zgjedhjen e saj. Ky veprim  që  tani merr formën e një sfide ndaj SHBA, komplikon shumë marrëdhënet strategjike jo vetëm me SHBA, por në gjithë Azinë jugore.

Pse India bëri këtë zgjedhje?

1-Në radhë të parë zgjedhja është motivuar nga problemet e sigurisë kombëtare për të ruajtur paritetin strategjik me  rivalët e saj rajonalë.

Ashtu si Kina para një viti  bleu 6 bateri S-400 nga Rusia dhe i ka vendosur në pjesën e saj më vulnerabël në Detin e Kinës Jugore ku incidentet po shtohen me një frekuencë të frikshme, edhe India ka shumë problem  kufirin veri-perëndimor me Pakistanin.

Pakistani është armiku kryesor i Indisë ku dhe janë ndeshur ushtarakisht  3 herë 30 vitet e findit dhe ajo që është më problematike, është i pajisur me rreth 100 testata nukleare. Bllokimi i raketave bërthamore nga Pakistani, që për më tepër ka një destabilitet politik tashmë kronik  me S-400 është prioriteti absolut i Indisë. Nga ana tjetër edhe kufiri prej 4000 km me Kinën, rivalin e saj kryesor  kërkon një mbrojtje adeguate  duke e barazuar në paritet armatimi.

2-Elita politike indiane  kërkon që India të jetë një ndër katër shtetet dominante të shekullit të 21 së bashku me SHBA, Kinën dhe Rusinë.

Për tu futur tek ky klub India duhet të demonstrojë një shkallë të lartë indipendence. India që nga koha e Nehruse ka ndjekur një politikë të mosangazhimin duke artikuluar një politikë të jashtme, që mbizotëron edhe sot për të mos u  bërë pjesë në alenca ushtarake dhe për të tentuar të mos ketë armiq.

Kështu që nga ky pozicion dhe me objektivat që ka India, nuk pranon  që  t’i kondicionohen  zgjedhjet startegjike ushtarake.

3-India është shteti që importon me shumë armë në botë  pasi në kundërshtim me Kinën, vetëm 30% e armatimit të saj prodhohet në vend. 80% e armatimit indian është rus  dhe amerikanët i kanë kerkuar hapur që të reduktojnë këtë varësi problematike.

India për të ruajtur ekuilibrat vendosi vjet për të blerë një paketë armatimi  në SHBA me vlerë 18 miliard dollarë. Por SHBA  kanë një problem pasi nuk lejojnë transferimin e teknologjisë për t’i prodhuar më  tej në Indi, dhe ky është një handikap i madh.

Rusia në fakt bën të kundërtën dhe kjo është nje pikë e fortë në vendimarrje. Madje rusët janë angazhuar që të ndihmojnë Indinë në zbarkimin në Hënë brënda vitit 2030 dhe ky është objektiv rilevant në ëndrrën e saj për tu shndërruar në një superfuqi.

kolana e librave

Në  fakt kontrata që nënshkroi Modi me Putinin me 3 tetor përfshinte jo vetëm S-400 por edhe 4 fregata stealth tip Krivak, helikopterët Kamov  dhe blerjen e 1000 tankeve supermoderne  T-14 Armata duke bërë edhe një transferim të teknologjive pasi një pjesë e tyre do të prodhohen në Indi. Në fakt Rusia lejon eksportin e S-400 pasi vetë ka filluar  instalimin e S-500 dhe kanë në prodhim S-600. India synon të ngrejë industrinë e saj moderne të armatimit ashtu siç ka berë Kina, që importon vetëm nga Rusia disa armë ne avandgarde.

Tani SHBA ndodhen në një situatë të komplikuar dhe deri tani nuk janë pozicionuar .

Në aspektin gjeopolitik SHBA ka 4 vjet që po mundohet të ndërtojë një partnership strategjik me Indinë. Afrimi problematik gjithmonë dhe më shumë i Rusisë me Kinën, siç e tregojnë pesëfishimi i shkëmbimeve  tregtare në 5 vitet e fundit dhe manovrat ushtarake  Vostok 2018  e kthejnë Indinë në një gur mjaft të rëndësishëm  në skakierën e  gjeometrisë variabël.

Humbja e Pakistanit, që tashmë ka kaluar  përfundimisht në orbitën kineze ,prerja e cdo marrëdhënieve  me Iranin dhe vështirësitë në komunikimin me Vietnamin e kthjejnë Indinë në pikën e vetme të kundërbalancimit strategjik kundër aksit Kinë-Rusi  në Azi.

Tani SHBA, sipas ligjit të miratuar nga Kongresi duhet t’i vendosë sanksione Indisë që  megjithëse ishte koshiente për ligjin, i bleu S-400. Një muaj  më  parë SHBA i vendosën sanksione retroaktive Kinës pasi një  vit më parë bleu S-400 dhe avionet Su-35-E nga Rusia  dhe i bllokoi shitjen e F-35  Turqisë me të njëjtin motivacion.

Tani nëse nuk do të bëjë të njëjtin veprim edhe me Indinë, kjo do të ketë komplikacione, pasi edhe Arabia Saudite, Katari, UEA, Vietnami, Egjipti  po negociojnë blerjen e S-400 dhe loja po hapet shumë.

Nga ana tjetër nëse do  të sanksionojë Indinë duhet të anullohet kontrata prej 18 miliard dollarë e shitjes së armatimit amerikan dhe do të thotë një dalje jashte tregut më të madh të blerjes së armëve në botë  dhe aq më tepër duke i lënë fushë të lirë Rusisë.

Vendosja e Indisë nën sanksione  do të thotë nje irritim i nacionalistëve  indian me Modin në krye pasi komplikon rizgjedhjen e tij vitin tjetër. Që historia nuk mund të kalojë kaq thjesht duket edhe nga fakti që dy ditë mbas marrëveshjes për S-400,  New York Times  akuzonte Modin për korrupsion në blerjen e 36 avionëve frances Rafale.

Por nga ana tjetër  prishja me Indinë do të thotë edhe një humbje e madhe gjeopolitike për SHBA. $Trump duhet të marrë tani një vendim jo të lehtë  por ai është i paparashikueshëm. Sipas shume ekspertëve ai mund   të gjejë një pozicion ambig për të mos pësuar një  humbje të madhe gjeopolitike në skakierën aziatike.

India synon që brenda vitit 2030 të jetë ekonomia e tretë e botës mbas Kinës dhe SHBA. Gjithashtu ajo po lobon fort për një vend permanent në Këshillim e Sigurimit të OKB  që mund të konsakrojë përfundimisht Indinë si një fuqi globale duke e kthyer kombin indian nga një më të varfërit të globit,  në një nga kombet më influente të shekullit të 21.

 Në  këtë kontekst duhet parë vendimi i fundit i Indisë, për të demonstruar një shtet potent që kërkon miqësi me të gjithë, por që vendimet strategjike ushtarake i merr në pavarësi të plotë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albert Çaçi

Gjeopolitika e grurit

Albert Çaçi

Pasojat e globalizmit