Kombinati i sheqerit u hap për herë të parë në Maliq më 1951. Ishte ndërmarrja e parë e madhe e industrisë ushqimore shqiptare që më pas u ndoq nga të tjerat e hapura në qytetet shqiptare. Ishte fillimisht pjesë e planit 5-vjecar, megjithatë vazhdoi të kryente funksionin deri më 1990. Me rënien e regjimit monist, kombinati nuk kryente më aktivitet, u amortizua dhe punëtorët u larguan.
Prej vitesh kjo hapësirë kishte mbetur e braktisur dhe nën mëshirën e agjentëve atmosferikë.
Bashkia Maliq bëri me dije se me votim unanim të këshillit bashkiak u vendos që ky kombinat të kalojë në pronësinë e kësaj bashkie. Deri më tani kombinati ishte nën menaxhimin Ministrinë e Ekonomisë, megjithatë asnjë ndërhyrje apo proces pune nuk ishte bërë në të.
Me kalimin e pronësisë do të shoqërohet gjithashtu edhe fillimi i procesit të ndërhyrjes në disa pjesë të tij me qëllim primar kthimin në proces pune.
Veç investimeve të parashikuara nga Bashkia Maliq edhe persona juridikë privatë janë të interesuar për të ndërhyrë në sektorë të industrisë ushqimore , në këtë pronë të administruar nga Bashkia Maliq.
Kombinati momentalisht është i ndërtuar nga disa sektorë, që përfshijnë godina të cilat kanë shërbyër si fabrika, sic është rasti i fabrikës të prodhimit të sheqerit pluhur ,tharjes së bërsive, ofiçinës mekanike dhe termocentralit, të ngritura më 1951.
Në sektorin e dytë janë disa fabrika të tjera, ajo e majasë së bukës, gazit karbonik ushqimor dhe ajo e alkoolit e cila ende është funksionale. Ndërkohë që ndërhyrja në pjesën më të madhe do të prekë fabrikën e glukozës dhe atë të nishestes.
Investimi pritet të jetë strategjik me rëndësi për ekonominë e zonës dhe për punësimin.
L.S