MENU

Duhet ta vizitoni!

Kalaja e Skënderbeut, gjatë viteve dhe historisë!

26.10.2018 - 10:02

Vitet e fundit Kepi i Rodonit është kthyer një nga destinacionet më të vizituara, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga turistët e huaj të cilët mezi presin të kombinojnë relievin bregdetar me atë kodrinor apo malor.

Kepi i Rodonit, përpost terrenit kodrinor dhe vijës së bukur bregdetare që ka, posedon edhe 2 nga objektet historike më kryesore të zonës së Ishmit, Kalanë e Skënderbeut dhe Kishën e Shën Ndout.

Ky destinacion, përveç bukurive natyrore ofron edhe atë historike, pjesë shumë e rëndësishme e një vendi, gjë që vlerësohet shumë nga turistët e huaj.

Kalaja e Skënderbeut

Kalaja e Skënderbeut ndodhet në anën verilindore të Kepit të Rodonit, ku me sytë e saj të gurtë e të lashtë, vështron ditë e natë detin Adriatik, gjirin e Patokut dhe atë të Shëngjinit.

Kjo kala filloi të ndërtohej pas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450.

Kohëzgjatja e punimeve për të ndërtuar këtë kala mendohet të ketë qenë 2 vjet, nga disa ustallarë venecianë. Muri i Kështjellës së Rodonit mendohet të ketë qenë 400m i gjatë dhe në çdo kulm të tij kishtë kulla të vogla të rrumbullakta.

Për shkak të dukurisë së erozionit, një pjesë e mureve janë thithur tashmë nga ujërat e detit Adriatik. Muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët, janë të dukshme për vizitorët.

Afër kalasë gjenden edhe gërrmadhat e Kishës së Shën Pjetrit.

Kisha e Shën Ndout

Kisha e Shën Ndout është kisha më e dëgjuar e kësaj zone të Shqipërisë së Mesjetës, kjo edhe për shkak të disa ndërtimeve që bëri Skënderbeu në atë zonë, në shekullin XV. Për këtë shkak ajo quhet edhe kisha e Skënderbeut.

Duke mbartur në vetvete vlera të mëdha monumentale, kulturore dhe për arsye se lidhet me një nga periudhat më të lavdishme të historisë së Shqipërisë, përfshirë këtu edhe peizazhin e bukur natyror, kjo kishë është kthyer në një destinacion turistik për vendasit dhe të huajt.

Kjo kishë, me vlera të mëdha historiko-kulturore, i përket arkitekturës romano-gotike të shekullit XIII.

Vitet e fundit objekti është rindërtuar dhe në ball të saj duken qartë një kalorës mbi kal si dhe një shqiponjë me dy krena. Në disa pjesë të tjera të mureve dallohen punime afresku.

Kjo kishë konsiderohet vend i shenjtë dhe çdo vit, në datë 13 qershor ajo kthehet në një vend pelegrinazhi për vendasit dhe turistët e huaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Monumentet historike në Gjirokastër

Rama: Kalaja e Gjirokastrës me rrugë të re alternative