Shqipëria ka arritur përmirësim të ndjeshëm në dekadën e fundit, për sa i takon treguesve që matin kapitalin njerëzor të vendit. Indeksi i Kapitali Njerëzor, i llogaritur nga Banka Botërore, e vendos Shqipërinë në një pozicion më të mirë se vendet e që kanë një nivel të ngjashëm të ardhurash.
Indeksi i Kapitalit Njerëzor mat nivelin e kapitalit njerëzor që një fëmijë i lindur sot mund të presë të arrijë deri në moshën 18-vjeçare. Ky indeks vlerëson ku ndodhet secili vend tani lidhur me produktivitetin e brezit të ardhshëm të punonjësve. Ai mat sa larg ndodhet secili vend nga caku i arsimimit të përfunduar dhe shëndetit të plotë për një fëmijë të lindur sot, duke përdorur një shkallë nga zero deri në një, ku 1 shënon rezultatin më të mirë të mundshëm.
Indeksi përbëhet nga pesë tregues: probabiliteti i të arriturit të moshës pesëvjeçare, sa vjet shkollim pritet të kryejë fëmija dhe sa do të mësojë, norma e të jetuarit në moshë të rritur (përqindja e 15-vjeçarëve që do të arrijnë moshën 60-vjeçare) dhe përqindja e fëmijëve me zhvillim normal.
Një fëmijë i lindur sot në Shqipëri, kur të rritet do të ketë 62% të produktivitetit potencial, që do të kishte nëse do të gëzonte arsimim të përfunduar dhe shëndet të plotë
Banka Botërore vlerëson se Shqipëria e ka rritur mbulimin dhe cilësinë e arsimimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme. Hyrja në arsimimin parashkollor është rritur ndjeshëm nga 58% në vitin 2007 në 83% në vitin 2017.
Në periudhën afatgjatë, mundësitë e hershme për mësim sjellin arritje më të larta mësimore, produktivitet më të lartë pas shkollës dhe të ardhura më të larta dhe kanë një shkallë më të lartë përfitimi për grupet në pozita të cenueshme.
Shqipëria ka arritur t’i përmirësojë rezultatet e veta mesatare në PISA, në kushtet e një sistemi arsimor në zgjerim të shpejtë, sidomos në arsimin e mesëm nga rreth 40% në vitin 2000 në 95% në vitin 2015.
99 nga 100 fëmijë të lindur në Shqipëri e arrijnë moshën 5-vjeçare, por shkallët e vdekshmërisë foshnjore, vdekshmërisë amësore dhe zhvillimit të mangët janë pak më të larta se vendet e tjera të rajonit dhe ka ende vend për përmirësime.
Shqipëria ka arritur barazi të plotë midis gjinive në arsimin parashkollor dhe atë fillor. Vitet e fundit, shkalla bruto e regjistrimit ka qenë pothuajse identike për djemtë dhe për vajzat në arsimin parashkollor dhe atë fillor. Por, arsimin e mesëm e ndjek një numër më i madh meshkujsh se femrash, ndërsa në arsimin e lartë ka më shumë femra, çka tregon se në të ardhmen duhet të marrin përgjigje pabarazitë në këto nivele të arsimit.