MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Kështu do të humbim Kosovën, Shqipërinë e pastaj kokën…

31.10.2018 - 16:10

Ekziston një rregull i thjeshtë i dialektikës që thotë:

”Ligjet e natyrës, ato të mendimit dhe të historisë, janë të njëjta pavarësisht rrobave të ndryshme që kanë në veshje. Një ligj të tillë, mund ta ndeshësh në dy nga këto tre fusha, e madje në të treja bashkë dhe megjithatë një rutiner metafizik mendon se ka të bëjë me tre ligje të ndryshme….

Për ata që nuk i kanë qejf ligjet e natyrës për shkak të vështirësive apo pasioneve të ndryshme që kanë në jetë, shëmbullin e dhënë më poshtë do ta shkruajmë në formën më të thjeshtë. Ndërkaq, arsyeja pse si fillim do zgjidhur të analizosh problemet duke ju referuar një ligji analog natyre, është e detyruar. Ligjet e natyrës nuk e pranojnë emocionin njerëzor.

Duke parë raportet import-eksport të Kosovës me Serbinë apo Maqedoninë, pa vajtur në ndonjë analizë të komplikuar ekonomistësh, të kujtohet lodra në fëmini kur me anë të një magneti kërkonim të tërhiqnim gozhdë apo objekte të ngjjashme. Magneti i thithte ato…

Pozicioni i Kosovës por edhe ai i Shqipërisë, është i njëjtë me ato të gozhdëve. Dhe kjo jo vetëm ndaj Serbisë apo Greqisë por edhe me Maqedonisë  vogël në sipërfaqe.

Sa më sipër t’ju referuar ligjeve të natyrës nuk kemi çtë themi dhe asnjë propagandë e tipit patriotik nuk na shpëton dot….

 

A mund ti tejkalojnë arsyet gjeopolitike pengesa të tilla si ajo e magnetit që përmënda më sipër?

Kur në të dyja anët tona po diskutohej çështja e kufirit me Serbinë filloi dhe të dëgjohet vringëllima e armëve bosh, siç ngjan gjithnjë kur mungesës së arsyes ja zë vëndin ligjërimi patriotik i veshur me një gjykim racional në dukje.

Për mua, nuk ka ndonjë shqetësim nëse palët bien dakort të shkëmbejnë me njëra tjetrën disa kilometra katrorë. Kjo megjithë vështirësinë që do të binte në tavolinë, Gjermania e cila do të luate siç bëri në vitet ’90-të për të ndihmuar aleatin e saj kroat, pra njohjen e menjëhershme të pavarësisë…

Gjermania pikërisht për këtë shkak do të mbante në siguri Korridorin e saj besnik kroat, pra të padobësuar nga Serbia.

Kjo është normale, po le të kthehemi në temë dhe të kuptojmë sa mundemi sipas këtij këndvështrimi se, me politikën e ndjekur Shqipëria do të humbë gradualisht jo vetëm Kosovën, por rrezikon edhe vetë më shumë nga sa mendohet të gllabërohet nga fqinjët e saj.

Në një pikëpamje të karakterit formal, Kosova është siç edhe ka qënë, një pjesë natyrale e Shqipërisë, por a mjafton kaq?!

 

Porti i Vlorës

 

Një vështrim i hedhur në hartë, tregon se gjeografikisht pjesa që e quajmë Shqipëri është, jo koka e Atdheut mëmë, por pjesa fundore e saj.

 Sa interes real ekonomik ka Kosova të lidhet ngushtësisht me Shqipërinë? Për të dalë në Europë i shërbejnë rrugët e saj apo të tjera?

Kjo pikë që për mua është qëndrore, nuk përfillet asnjëherë nga kompetentët e çështjes kombëtare. Natyrisht që përgjigja është në disfavorin tonë. Në historinë tonë edhe në kohën e Hoxhës, kur ai ulërinte kundër Beogradit, shumicën e tregtisë e bënte me të, apo duke kaluar rrugëve të saj…

 

Çështja është se si të ndryshojmë këto raporte…

E kam shkruar shpesh dhe do ta rishkruaj sa herë të mundem se eksportet tona apo të Kosovës janë të natyrës minerare apo thjesht të rënda. Një natyrë e tillë eksportesh kërkon detyrimisht hekurudha dhe porte. Ato nuk janë dhe rrjedhimisht ky eksport nuk ekziston, është jo rentabël. Qymyret e Kosovës edhe sikur të mos shkonin në Evropë mund të vinin në Shqipëri duke rregulluar bilancin eenergjitik të dy vendeve në të cilat njëri ka ujë për dimër dhe tjetri qymyr për verë. Jugu i Shqipërisë do ta thithte këtë potencial duke e rregulluar bilancin.

 

Por a mjafton me kaq?

Nëse Shqipëria nuk vazhdon të ëndërrojë për Korridorrin 8 për të lidhur me të edhe Kosovën por dhe shqiptarët e Maqedonisë, ajo vjen vërdallë si miza në qyp duke u tkurrur gjithnjë dhe duke u gllabëruar nga fqinjët jo si krokodil dikur, por si nga një thithje pitonësh. Është elementare të kuptosh se nëse nuk fillon dhe ëndërron për Vlorën si një nga portet potencialisht më të mëdhenj të Europës dhe botës, do të ngordhim në një narrativë idiote patriotike. Ndërtimi i këtij porti nuk bie brenda tij vetëm Kosovën dhe Maqedoninë, por gjithcka përreth. Është fiks ai magneti që thith gozhdët që përmënda fillimisht. Ky port i bën pa lekë apo pa koncensione të rënda Korridorin e tetë dhe hekuruadhat që përmënda.

Ndërton një aks që, filluar nga Vlora e shkuar në Shkup, e shndërron Shqipërinë në vënd të pavarur apo kryezonjë e Ballkanit. Prej Shkupit mund të shkosh në Evropë, Stamboll apo Rusi.

 

Shumë mendojnë se a na lënë të tjerët..

Italia do të humbte rëndësinë e porteve të Jugut, Greqia atë të Selanikut. Të tjerë do të tembeshin se një aks i tillë, që fillon nga Vlora dhe mbaron në Stamboll; mund të jetë i rrezikshëm në kohë paqeje dhe ca më shumë lufte, nëse në shumicën e tij gjendet në duart e shqiptarëve etj etj……Vetë besoj që zgjidhja e kësaj çështje është po aq e rëndësishme sa ajo e vitit 1912. Po nuk e shtruam në tavolinë  do të humbim Kosovën dhe veten dhe do ta tkurrim pafundësisht Shqipërinë,  deri sa vërtet të kujtojmë Bismarkun se jemi vetëm “ nje shprehje gjeografike”.

A na lënë  të tjerët?

Ç’na hyn në punë ata, në atë se çfarë duam të ndërtojmë në Atdheun tonë?

Po nuk bëmë Vlorën dhe Korridorrin e tetë do mbetemi më keq se kaq. Do ndërrohen papushim qeveri që japin vetëm ato lajmet e gëzonjtura të kohës së Enverit…. Këtë muaj u rritën 1 për qind, po tjetrin do të rritemi 2 për qind dhe kismet vitin tjetër 4 për qind…