Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u përball me një replikë të ashpër nga homologu i tij kinez në Pekin të hënën, një ditë pas akuzave të SHBA ndaj politikave globale dhe të brendshme të shtetit aziatik.
Pompeo dhe Ministri i Jashtëm Wang Yi shkëmbyen akuzat pasi shefi i diplomacisë amerikane arriti në Pekin ku kishte ndalesën e fundit të një udhëtimi në Azi me fokus çështjen bërthamore të Koresë së Veriut.
Ministri i Jashtëm kinez akuzoi Shtetet e Bashkuara që kanë bërë një sërë veprimesh në Tajvan, një ishull që vetë Pekini e konsideron një provincë rebele dhe që kanë ndërhyrë edhe në çështje të tjera që dëmtojnë sovranitetin kinez.
“Këto veprime kanë ndikuar në besimin e ndërsjellë midis të dyja palëve dhe ka hedhur një hije mbi perspektivën e marrëdhënieve Kinë-SHBA”, tha Wang.
“Ne kërkojmë që SHBA të ndalojë veprime të tilla të gabuara” tha ai, duke shtuar se të dy vendet duhet të bashkëpunojnë dhe të mos shkojnë deri në konfrontime konfliktuale.”
Wang dhe Pompeo u takuan pasi nënpresidenti amerikan Mike Pence mbajti një fjalim të enjten ku akuzoi Kinën për agresion ushtarak, vjedhje tregtare dhe shkelje të të drejtave të njeriut, dhe e ka quajtur regjimin komunist si një “djall” që u përpoq të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme të SHBA.
Shtetet e Bashkuara e kanë zemëruar gjithashtu Kinën me shitjen e armëve në Tajvan.
Duke iu përgjigjur vërejtjeve të Wang, Pompeo tha se donte të vinte në Pekin për të diskutuar.
“Ne kemi shqetësime të mëdha për veprimet që Kina ka ndërmarrë dhe mezi presim që të ketë mundësi për të diskutuar me secilin nga ata sot, sepse kjo është një marrëdhënie tepër e rëndësishme.” – u shpreh ai.
Pompeo gjithashtu komentoi anullimin e një takimi midis sekretarit amerikan të Mbrojtjes Jim Mattis dhe homologut të tij kinez, i cili duhej të zhvillohej këtë muaj në Pekin.
Kina ka mbështetur sanksionet e Kombeve të Bashkuara mbi aleatin e epokës së Luftës së Ftohtë, megjithëse kohët e fundit kërkoi që ato të lehtësoheshin.
Wang tha se çështja e Koresë së Veriut tregon se Pekini dhe Uashingtoni mund dhe duhet të komunikojnë dhe bashkëpunojnë më shumë.
Pompeo u përgjigj se ishte e rëndësishme që vendet të dëgjojnë njëri-tjetrin, të punojnë dhe të gjejnë zgjidhje konstruktive në mënyrë që të kemi rezultate të mira.
Pasi kaloi rreth pesë orë në Pekin, Pompeo u nis për në aeroport për t’u kthyer në Uashington.