Projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, i propozuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ka hasur në kundërshti nga kompanitë e sigurimeve. Për këtë arsye, Shoqata e Siguruesve i ka dërguar Ministrisë së Financave disa propozime alternative. Ndonëse në tërësi kompanitë e sigurimeve vlerësojnë frymën dhe risitë e projektligjit të ri, duke nisur nga zbatimi i sistemit bonus-malus, ata kundërshtojnë disa kufizime të vendosura në ligj lidhur me shpenzimet dhe komisionet. Sipas tyre, vendosja në ligj e kufijve të shpenzimeve cënon konkurrencën dhe lirinë e tregut.
Gjithashtu, siguruesit kundërshtojnë dispozitën që ju ndalon të ndryshojnë nivelin e primeve më shumë se dy herë në vit. sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Siguruesve Shqiptarë, Edvin Libohova, thotë se ky përcaktim bie ndesh me parimin e liberalizimit të primeve dhe të kufizon të drejtën e kompanive për t’i vendosur apo ndryshuar ato.
Një problem tjetër për kompanitë e sigurimeve është rritja e kufijve të dëmit. Kufiri minimal i përgjegjësisë për mjetet e transportit publik arrin në mbi dy milionë euro për ngjarje sigurimi.
Për shembull, në rast se një autobus aksidentohet për faj të drejtuesit, kompania e sigurimeve mund të paguajë në total deri në 270 milionë lekë. Për çdo pasagjer që humbet jetën, vlera minimale e dëmshpërblimit do të jetë 2 milionë lekë, ndërsa nëse aksidenti shkakton paaftësi të përhershme për punë, i dëmtuari përfiton 4 milionë lekë dëmshpërblim. Një rritje e tillë mund të përballohet vetëm duke rritur primet, çka do t’i vinte kompanitë në vështirësi, për shkak të fuqisë së dobët blerëse dhe zhvillimit të ulët të tregut.
Ligji i ri pritet të mundësojë aplikimin e sistemit bonus-malus, sipas të cilit primet e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve do të paguhen në bazë të historikut të dëmeve. Projektligji gjithashtu parashikon se primet e sigurimit të detyrueshëm motorrik duhet të miratohen nga AMF dhe nuk mund të ndryshojnë më shpesh se dy herë në vit. Një rekomandim i Autoritetit të Konkurrencës për rregullimin e tregut, dëmshpërblimi i drejtpërdrejtë i të dëmtuarve nga siguruesi i tyre, përfundimisht nuk është pranuar nga AMF.
Autoriteti i Konkurrencës argumentonte se një hap i tillë do të rregullonte tregun, sepse kompanitë do të hynin direkt në marrëdhënie me klientët e tyre dhe do të ishin më të interesuar të shërbenin më mirë në rast dëmesh. Ndërkohë, klienti do të ishte më i prirur të zgjidhte kompaninë në bazë të shërbimit dhe jo thjesht duke ndjekur çmimin më të ulët, siç ndodh aktualisht. Projektligji i hartuar nga AMF parashikon që shoqëritë e sigurimit mund të lidhin marrëveshje mes tyre për këtë qëllim, por kjo praktikë nuk do të jetë detyruese.