MENU
klinika

Albert Çaçi

Komplikimi i aleancave në Lindjen e Mesme

21.10.2018 - 13:59

Lufta e Sirisë, me drejtimin që ajo mori, solli ndryshime esenciale në skakierën e Lindjes së Mesme. Futja në 2015 e Rusisë dhe mbi të gjitha formimi i një aleance me Iranin dhe më vonë me Turqinë  e  komplikoi së tepërmi kuadrin gjeopolitik.

SHBA u detyruan të kundërpërgjigjen duke krijuar një aleancë, edhe pse të padeklaruar, dhe jo direkte  midis Israelit dhe botës sunite të drejtuar nga ana e Arabisë Saudite. Ishte një ndërmarrje mjaft e vështirë pasi midis dy vendeve nuk ekzistojnë marrëdhënie diplomatike.

Washingtoni investoi  totalisht mbi princin e ri të kurorës  Saudite Muhammad bin Salman. Ai iu paraqit gjithë Perëndimit si një princ reformator, me një vizion modern  gjeopolitik, i hapur ndaj Israelit por edhe i vendosur për  reformat në vend. Vizita vitin e shkuar e Trump  në Riad dhe Tel-Aviv  e konsolidoi më tepër këtë aks.

Debutimin më serioz kjo aleancë do ta bëjë në fillim të këtij nëntori kur ndaj Iranit do të vendosen sanksione të rënda që mund të kenë konseguenca të paparishikushme, duke mos perjashtuar as konflikt ushtarak.

Madje Arabia Saudite do të luante një rol të dorës së parë duke shtuar prodhimin e naftës për të kompensuar daljen e Iranit, për të mos lejuar daljen jashtë kontrollit të çmimit të naftës, me pasooja për ekonominë globale.

Vrasja brutale  e Jamal Khashoggit ,gazetarit të Washington Post  komplikoi gjithcka. Ajo që ka ndodhur në konsullatën saude në Turqi paraqet një vepriM shumë të rëndë  që vështirë se mund të definohet si një gabim, pasi flitet për një vrasje brutale tipike të të gjithë diktatorëve  nëpër botë. 

Tashmë  vrasja e gazetarit mund të sjellë konseguenca politike të një rëndësie fondamentale.

Trump dhe Netanjahu vunë bast mbi Muhamed Bin Salman . E zgjodhën princin e ri si një partner zyrtar dhe aleat fondamental për gjithë Lindjen e Mesme.  Trashëgimtar i një perandorie që do të garantonte naftën por edhe do t’i kundërvihej armikut numër një strategjik, Iranit.

Por vrasja e Khashoggit konfirmoi që saudët nuk rezultuan një partner  i besueshëm dhe rezultuan edhe si strateg shumë  të  dobët. Sepse ajo që ndodhi në Stamboll nuk është thjesht një krim, që në fakt meriton të dënohet unanimisht dhe pa kompromis por mbi të gjitha një gabim. Një gabim trashanik,  brutal që demostron se Muhamed Bin Salman është një person impulsiv dhe absolutisht i paaftë për t’i besuar çelësat e botës arabe dhe gjithë Lindjes së Mesme.

kolana e librave

Dhe nuk është vetëm vrasja e gazetarit. Lufta e falimentuar  në Jemen, ku pas tre vjetëve është në rrugë pa krye, mbajtja 2 muaj peng e Kryeministrit libanes Hariri duke pataksur gjithë botën që heshte, reagimi emotiv dhe i paprecedendtë ndaj Katarit që rrezikoi spostimin e tij  gjeopolitikisht drejt Turqisë dhe Iranit duke dëmtuar rëndë interesat amerikane.

Dhe kështu gabim pas gabimi mbërritëm në ditët e sotme tek vrasja e gazatarit në mënyrë makabre  dhe që tashmë është bërë e qartë ne gjithë opinionin publik perëndimor se vija e kuqe është kaluar. Është një ngjarje që nuk mund të justifikohet nga asnjë kënd vështrimi.

 Pasi si mund të akuzosh Iranin si një vend gjakatar dhe të jesh aleat me një partner që eleminon një disident në mënyre makabre? Si mund t’i besohet këtij lideri një politikë racionale dhe strategjike? Këto janë pyetje që Përëndimi duhet të ia sqarojë elektoratit të tij. Edhe Trump ditë pas dite po distancohet nga një veprim që nuk mund të justifikohet dhe që i zuri të gjithë në befasi. 

Tashmë është e qartë se për Arabinë Saudite gjërat  po vendosen shumë  keq . New York Times  shkruante se varianti zyrtar që japin Saudët është një fyerje jo vetëm për gazetarin e vrare por edhe për inteligjencën tonë. Natyrisht për Realpolitik Washingtoni dhe Israeli nuk do ti abandonojnë saudët po tashmë kuadri  do të ndryshojë.

Tashmë duket qartë se investimi mbi të konsiderohet i humbur, por tashmë kjo ka konseguenca gjeopolitike.

Nëse Arabia Saudite nuk do të konsiderohet si një aleate e dorës së parë në gjithë Lindjen e mesme krijohet një boshllëk shumë i madh pasi është  vështirë tashmë të zëvendësosh  këtë partner.

Egjipti është tërhequr nga konfliktet e Lindjes së Mesme dhe nuk pranon të marrë rol pas  goditjes se Vllazërisë Myslimane dhe tradhtisë që iu bë sipas tij . Turqia që konsiderohet si aleat i dorës së parë, por edhe si vend i NATO-s  ka kohë që sillet në mënyre asimetrike, duke u futur në aleanca të paimagjinueshme deri para pak kohësh. Jordania dhe  petromonarkitë e  vogla si  Katari, Kuvajti, Emiratet, Bahrein  janë të pasura por pa asnjë peshë politike dhe  ushtarake.

Ndërkohë Rusia vazhdon ta konsolidojë aleancën e saj. Madje  në  fund të shtatorit në Turqi do të zhvillohet një takim midis Putin, Erdogan, Merkel dhe Makron për Sirinë. Pa dyshim kjo është  një tjetër sfidë për Washingtonin, pasi muajin tjetër do të duhet të përballojë dosjen e vështirë iraniane dhe nuk i Ka bindur akoma gjithë aleatët.

 Si do ta zgjidhin SHBA dhe Israeli këtë çekuilibrim gjeopolitik që iu krijoi Arabia Saudite është shumë  e vështirë të thuhet por krijimi i këtij  boshllëku strategjik mund  të çojë në veprime  radikale  dhe kjo mund të ketë pasoja për gjithë paqen globale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Analiza/ Albert Çaçi

Plani i shekullit

Gabimet që janë bërë...

Nënvlerësimi i Trump nga Erdogan

'Lufta' për gazin

Marrëveshja e Kaspikut