Përfaqësuesit e biznesin prodhues shprehin rezerva rreth projeksioneve të qeverisë për rritjen ekonomike vitin e ardhshëm. Konfindustria vlerëson, se parashikimi për rritje të ekonomisë me 4.3% në projekt buxhetin e vitit fiskal 2019 është i ulët, po të merret parasysh vlera e përgjithshme të investimeve në formën e PPP-ve dhe koncesioneve të programuara për tu zbatuar.
Konfindustria vlerëson, se rritja e parashikuar për vitin 2019 duhet të ishte parashikuar të paktën 2.5% më e lartë, e thënë ndryshe rreth 6.8%. Përfundimi i mësipërm buron nga fakti, se gjatë vitit 2019 dhe në vazhdim do të kemi përqendrim të investimeve jashtë buxhetore, pjesë të programit të ”1 miliard euro” në formën e Partneritetit Publik Privat. Ndonëse këto janë në thelb borxhe të kaluara brezave dhe qeverisjeve të ardhshme, në vitet e para investimet duhet detyrimisht të prodhojnë rritje ekonomike shtesë.
Madje, Konfindustria vlerëson se në llogaritjet e mësipërme nuk janë përfshirë edhe një numër i madh koncesionesh të pritshme, sidomos në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike nga uji, dielli, industrinë aeroportuale, infrastrukturë, etj. Në këtë rast rritja ekonomike e parashikuar nga qeveria, duhet të ishte akoma më e lartë edhe se niveli prej 6.8%.