Vasfije Krasniqi-Goodman ka thyer një tabu në shoqërinë kosovare pasi është bërë gruaja e parë, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, që ka rrëfyer publikisht tmerrin e përjetuar kur është përdhunuar nga forcat policore serbe në vitin 1999.
Vasfija, 36-vjeçarja e cila jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara, me lot në sy ka rrëfyer për torturat që kishte përjetuar gjatë luftës si 16-vjeçare. Ajo ishte përdhunuar nga dy serbë: njëri prej tyre polic i regjimit të Slobodan Millosheviqit. Rasti, siç tregon ajo, kishte ndodhur në fshatin Babimovc të Vushtrrisë.
“Më 14 prill të vitit 1999 kam qenë në oborr dhe kam hyrë brenda dhe i kam thënë nënës me dalë dikush te dera me qelë derën. Dikush jashtë derës na tha ‘qelne derën’… edhe është dashtë me qelë”, nis rrëfimin, 36-vjeçarja nga Stanovci i Vushtrrisë. “Ne nuk e dinim nëse kanë hy me na vra apo kanë hy me bastisë, mirëpo ai pyti se ku e keni babën edhe vëllanë. Nana i tha që janë në Gjermani, e ai më tha: ‘Jo nuk janë në Gjermani, por kanë shkuar në luftë’.”
“Ai hyri brenda dhe më pastaj më mori mua, më tha se do të shkojmë për të dhënë deklaratë në polici”, tregon Krasniqi-Goodman.
Në këtë intervistë për Televizionin Publik të Kosovës, Vasfije Krasniqi-Goodman thotë se nuk dëshironte të shkonte me policin serb. “Nuk doja të shkoja, por ai më kapi dhe më futi në një makinë 101-sh të kaltër.”
Asokohe 16-vjeçare, Krasniqi e kishte kuptuar që diçka e keqe do t’i ndodhte asaj në momentin kur vetura të cilën po e ngiste zyrtari policor serb nuk po shkonte në drejtim të stacionit të Policisë në Vushtrri, por diku tjetër.
“Ai nuk vazhdoi drejtë ku është stacioni i Policisë, por ka vazhduar në drejtim të Prishtinës. Unë e dija por se kuptoja se çfarë do të ndodhë me mua, sepse unë kam qenë fëmijë, 16-vjeç. Dhe ka ardhur në fshatin Babimovc, ka qenë një kishë aty, fshati ka pasur shumë serb”, vijon rrëfimin kosovarja 36-vjeçare.
“Në atë moment unë vetëm doja të vdisja me një plumb edhe kurgjo tjetër. Veç me më vra”, thotë Krasniqi-Goodman me lot në sy.
Vasfija thotë se polici serb i kishte thënë se nuk do ta vriste për një arsye të vetme: që të vuante më shumë.
“E ka ndal makinen dhe më ka detyruar me dalë prej makines dhe aty kishte patur kallamoq. Më ka gjuajtur aty dhe çfarë ka ndodhur pastaj nuk mundesh me marrë me mend. E ka pasur dorën e majtë të lidhun edhe thoshte: ‘Nuk të vras sepse kështu hjekë më shumë”, shprehet ajo.
Por, tmerri i asaj dite për Vasfijën nuk ishte ndalur me kaq. Ajo shprehet se ishte dhunuar seksualisht edhe nga një tjetër person, që ishte veshur me rroba civile.
“Pastaj është kthyer në makinë dhe ka ardhur një tjetër; ai nuk ka qenë me rroba të policisë, por me rroba civile. Më ka dërguar në një shtëpi tjetër afër shitores së fshatit Babimovc. Kur është kthyer ky i vjetri prapë në makinë dhe ka kaluar një ushtar aty. I kam thënë që unë dua vetëm të shkojë në shtëpi. Ai më ka thanë ‘mos trego ku je kanë, thuaja në shtëpi se ke qenë me dhënë deklaratë në polici. Më ka thanë që nëse u tregon familjarëve ne kemi me të vra”, rrëfen Vasfije Krasniqi-Goodman.
36-vjeçarja, e cila kishte qenë vetëm 16-vjeçare në kohën kur i ishte nënshtruar torturave dhe dhunimit seksual, tanimë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nënë e dy fëmijëve.