MENU
klinika

Nostalgjia e viteve ‘80

Kur Shqipëria mundi Belgjikën në vitin 1984…

15.10.2018 - 18:05

Vitet ‘80 kanë qenë të arta për futbollin shqiptar. Pas humbjes 8-0 me Gjermaninë në vitin 1981, nga drejtimi i skuadrës kombëtare u largua i madhi Loro Boriçi, për t’i hapur rrugë një ere të re.

Ekipi Shpresa ishte shpallur 2 herë kampion Ballkani në 3 vite dhe shumica e elementëve vinin nga ky ekip, ndaj dhe ekipi kombëtar pati një rritje. Drejtimin e ekipit kuqezi e mori Shyqyri Rreli, pasi ai kishte drejtuar me sukses U-21 (Vendi i tetë në botë).

Interesant është fakti që në fillimin e viteve 1980 kampionatin kombëtar e fitonin 5 skuadra të ndryshme, 3 ekipet e kryeqytetit (Dinamo, Partizani dhe 17 Nëntori) dhe 2 vinin nga rrethet (Vllaznia dhe Labinoti). Dhe natyrisht kishte shumë prurje nga të gjithë ekipet, duke qenë se gara ishte e fortë.

Në eliminatoret e Europianit 1984, Shqipëria nuk bëri një paraqitje të mirë, 6 humbje dhe vetëm 2 barazime. Megjithatë, një brez i artë po rritej dhe në eliminatoret e Botërorit 1986 shënohet fitorja historike kundër Belgjikës, 2-0, kur ndeshja e parë në Bruksel kishte përfunduar 3-1 (1-1 deri 6 minuta para fundit).

Por para fitores legjendare në Tiranë me Belgjikën, Shqipëria kishte marrë një rezultat shumë të mirë jashtë fushe, 2-2 në Poloni, ku hera e parë që Kombëtarja përmbyste nga 1-0 në 1-2 dhe vetëm një pakujdesi e mbrojtjes në fund bëri që ndeshja të përfundonte në barazim, kur i madhi Bonjek mposhti Mustën.

Dhe më 22 dhjetor 1984 shënohet kulminacioni i Kombëtares shqiptare. Është për t’u habitur, ndonëse stadiumi “Qemal Stafa” në statistikat e mëvonshme regjistronte rreth 16 mijë vende të ulura, ndaj Belgjikës ishin të pranishëm në stadium 20 mijë tifozë, kjo e pasqyruar edhe në statistikat e ndeshjes.

Pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola. Në pjesën e dytë, Josa në ‘69 shënon golin e parë me kokë. Belgjika u hodh e gjitha në sulm për të marrë të paktën një pikë, por Minga në një kundërsulm në ‘86 shuan shpresat e miqve, ndërsa stadiumi dhe e gjithë Tirana nisi festën.

Për herë të parë u ngjall shpresa e një kualifikimi të mundshëm në Botëror, Shqipëria renditej e dyta në grup pas asaj fitoreje. Kombëtarja mundi Belgjikën më të mirë të të gjitha kohërave deri kur këtë vit u rendit e treta në botë, pasi ajo skuadër më vonë në finalet e Botërorit 1986 në Meksikë zuri vendin e katërt në botë.

Vetëm Argjentina (kampione e botës) arriti ta thyente në gjysmëfinale, pasi belgët mund të ishin edhe finalistë. Por gjithë ai entuziazëm i Shqipërisë u venit në Athinë pas humbjes 2-0 me Greqinë, ndërsa Polonia në Tiranë shuajti shpresat e kualifikimit me golin e të madhit Bonjek…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Speciale/Intervista me Ylli Shehun

“Babai me Dinamon, unë zgjodha Partizanin”