MENU
klinika

Fatale!

Ky është çrregullimi neurologjik më i shpeshtë tek fëmijët

07.10.2018 - 21:06

Megjithëse përshkruhet nga grekët e lashtë deri vonë, në shekullin tonë konvulsionet febrile nuk kanë qenë të ndara nga konvulsionet epileptike si një sindrom i veçantë.

Në vitin 1980, në një konferencë neurologjike konvulsionet febrile u përshkruan si: “Një ngjarje që ndodh në foshnjëri ose fëmijëri dhe që zakonisht ndodh midis tre muajve dhe pesë vjetëve, e lidhur me praninë e temperaturës, por pa prova të infektimit intrakranial ose pa një shkaktar të përcaktuar.”

Ato diferencohen nga llojet e tjera të konvulsioneve qysh prej mesit të shekullit XIX-të. Në atë kohë trajtimi konsistonte në eliminimin e shkaktarit të temperaturës.

Me futjen në përdorim të termometrit në fundin e viteve 1880-të, u kuptua se temperatura ishte faktori primar në shkaktimin e konvulsioneve febrile.

Konvulsionet febrile ose që njihen nga populli si ngërçe të shkaktuar nga temperatura e lartë paraqesin një nga çrregullimet më të shpeshta neurologjike te fëmijët. Ato janë të shpeshta te fëmijët e moshës parashkollore, me simptoma të ngjashme si sulmet epileptike.

Për shkak të kohëzgjatjes së simptomave, të cilat kanë fotografi dramatike, shkaktojnë frikë dhe panik te prindërit.

Konvulsionet febrile paraqiten si reagim i trurit gjatë ngritjes së shpejtë dhe të papritur të temperaturës trupore në interval prej 38,5 deri në 39,5 gradë. Paraqiten te fëmijët e moshës prej 6 muajsh deri në 6 vjeç.

Mund të zgjasin nga disa sekonda deri në 20 minuta, më shpesh 1 deri 2 minuta.

Ekzistojnë më shumë faktorë të rrezikut që sjellin deri te paraqitja e konvulsioneve febrile te fëmijët, ndërsa disa prej tyre janë: faktori i trashëguar, pirja e duhanit nga nëna gjatë shtatzënisë dhe pesha e vogël trupore.

Shkaqet për gjendjen e tillë akoma nuk janë të njohura, por supozohet se bëhet fjalë për tolerancë të ulët të trupit ndaj temperaturës trupore, si dhe për shkak të sistemit të pazhvilluar.

Konvulsionet febrile janë çrregullimi neurologjik më i shpeshtë i moshës fëminore.

Konvulsionet febrile përsëriten në 1/3 e fëmijëve. Në 90% të rasteve ato shfaqen brenda 3 viteve të para të jetës, 50% gjatë vitit të dytë me një pikë në moshën 18-24 muajsh.

Edhe pse prognoza është përgjithësisht e mirë për pjesën më të madhe të fëmijëve me konvulsione simptomatike apo me konvulsione epileptike, konvulsionet mund të sinjalizojnë për një çrregullim sistemik apo të SNQ-së potencialisht serioz, që kërkon ekzaminim dhe trajtim të plotë.

Për fëmijët me epilepsi, prognoza është përgjithësisht e mirë, por 10-20 % kanë konvulsione të vazhdueshme që nuk i përgjigjen barnave, dhe këto raste përbëjnë një sfidë për diagnozën dhe trajtimin.

Konvulsionet febrile “të thjeshta” karakterizohen nga kriza të shkurtra, përgjithësisht të gjeneralizuara me kohëzgjatje deri 5 apo më shumë minuta, të shoqëruara nga temperatura e lartë.

Forma e dytë e konvulsioneve është forma “komplekse” që karakterizohet nga konvulsione të zgjatura mbi 15 minuta, kriza fokale, shpesh të dhëna EEG jonormale.

Zgjatja e krizës ndryshon nga pacienti në pacient. Kriza mund të paraqitet në temperaturë të ndryshme disa herë gjatë një dite apo periudha të zgjatjes së temperaturës.

Prindër bëni kujdes me kontrollin e temperaturës te fëmijët sidomos tani që erdhën virozat!