MENU
klinika

Edhe kërkesa në rritje

Lehtësohet më tej kredia për individët

19.10.2018 - 14:51

Bankat lehtësuan më shumë kreditimin e individëve në tremujorin e tretë të vitit. Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues, të Bankës së Shqipërisë, ky lehtësim u manifestua si për kreditë për blerje banese, ashtu edhe për kreditë konsumatore.

Faktorët që diktuan standarde të lehtësuara për individët në tremujorin e tretë ishin toleranca më e lartë e bankave ndaj rrezikut dhe perceptimi më i ulët i rrezikut lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit. Kërkesa e individëve për kredi ishte më e lartë në tremujorin e tretë të vitit, e nxitur si nga kredia me qëllim blerje banese, ashtu edhe nga ajo konsumatore.

Bankat u shprehën për një lehtësim të mëtejshëm të pritur të standardeve të kreditimit për individët në tremujorin e fundit të vitit.Gjithashtu, bankat presin një rritje të mëtejshme të kërkesës për kredi nga ana e individëve.

Ndërsa standardet e kreditimit, për kategorinë e bizneseve, u raportuan thuajse të pandryshuara në tremujorin e tretë të vitit. Megjithatë, në ndarjen sipas madhësisë së biznesit, ato rezultuan të shtrënguara për kreditë dhënë bizneseve të vogla dhe të mesme.

Bankat u shprehën se presin t’i mbajnë të pandryshuara standardet e kreditimit për bizneset në tremujorin e fundit të vitit, si në terma të madhësisë së tyre, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë. Kërkesa për kredi u raportua më e ulët nga një tremujor më parë, si ajo e bizneseve të vogla dhe të mesme, ashtu edhe kërkesa e bizneseve të mëdha. Edhe në kuptimin e qëllimit të përdorimit të kredisë, kërkesa rezultoi më e ulët, si për kreditë për investime, ashtu dhe për likuiditete.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN