MENU
klinika

Premier League, java 10

Manchester United kalon me sukses Everton

28.10.2018 - 18:57

Manchester United është rikthyer te suksesi në Premier League, duke fituar 2-1 në “Old Trafford” ndaj Everton. Me nga një gol në secilën pjesë, “Djajtë e Kuq” arrijnë të fitojnë, por gjithsesi, vazhdojnë të mos bindin dhe të krijojnë panik për trajnerin Mourinho dhe tifozët.

Duhej një gabim i Gueye brenda zonës së tij që gjithçka të zhbllokohej. Mesfushori i Everton shkakton një faull që për arbitrin John Moss është një penallti. Ajo merret përsipër nga Paul Pogba, i cili gabon me të parën falë pritjes fantastike të Pickford, por shtyn topin në rrjetë me të dytën.

Pas golit United luan më lirshëm dhe pas pushimit, në minutën e 49’, arrin të dyfishojë rezultatin me një tjetër gol cilësor të Anthony Martial. Sulmuesi francez ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm për skuadrën e Jose Mourinho-s në ndeshjet e fundit dhe ai nuk ka zhgënjyer edhe ndaj Everton.

Gjithsesi, miqtë arritën të shënojnë golin e shumëkërkuar në minutën e 77’ falë penalltisë së Sigurdsson, i cili nuk gabon para De Gea-s. Djajtë arritën ta ruanin avantazhin në minutat e mbetura, duke marrë tri pikët e merituara në fund dhe Mourinho që mund të marrë “frymë” sërish.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN