MENU
klinika

Reagon Zv/kryeministri shqiptar

Maqedoni/ Zv/kryeministri Osmani nën hetim

11.10.2018 - 17:57

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani u shpreh i befasuar nga njoftimi se ndaj tij kanë nisur hetime për shpërdorim të mundshëm të detyrës.

Numri dy i qeverisë maqedonase deklaroi se ka punuar gjithmonë sipas ligjeve dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Reagimi i Osmanit erdhi pas lajmit se Prokuroria Speciale në vend ka nisur hetime të reja lidhur me shpërdorimin e detyrës zyrtare, e në mesin e personave të shënjestruar është edhe vet zëvendëskryeministri, i cili në qeverinë e kaluar ka shërbyer si ministër Shëndetësie.

Osmani, i pari zyrtar i BDI-së që përballet me akuzat e Prokurorisë Speciale, nuk e sulmoi hetimin, përkundrazi e cilësoi atë si normal, korrekt dhe një detyrim profesional të Prokurorisë, ndërsa e vendosi veten në dispozicion të plotë të kësaj të fundit, ashtu si dhe kujtdo organi tjetër të drejtësisë në vend, për të bashkëpunuar – siç tha ai, – në interes të identifikimit të gjendjes faktike në tërësi.

“Dua të theksoj, – shtoi Osmani, – se nuk kam asgjë për të fshehur”.

Akuzat e Prokurorisë Speciale, që prekin edhe ish-kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski, dhe ish-zyrtarë të tjerë, kanë për bazë bisedat e përgjuara telefonike, të publikuara në shkurt të vitit 2015.

Sipas Prokurorisë Speciale Publike, të akuzuarit dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me rreth 80 milionë euro.