MENU
klinika

Miqësorja në Elbasan

Masat e Policisë për Shqipëri-Jordani

10.10.2018 - 11:36

Në orën 20:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, sot do të luhet ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Jordanisë. Një test gjeneral i kuqezinjve para sfidës shumë të rëndësishme eliminatore në grup të Ligës së Kombeve, që do të luhet pas pak ditësh në Izrael.

Trajneri Christian Panucci ka mundësinë të testojë të tijtë dhe të konsolidojë bindjen për formacionin titullar në sfidën e pas katër ditëve në Beer Sheva. Edhe pse konsiderohet një ballafaqim pa shumë interes për tifozët, çka duket edhe nga numri i biletave të shitura, policia do të marrë masat e duhura për mbarëvajtjen e gjithçkaje.

Në funksion të qetësisë dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas ndeshjes Shqipëri-Jordani, uniformat blu të Elbasanit bëjnë me dije masat e marra:

“Drejtoria Vendore e Policisë së Elbasanit ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë publike për zhvillimin sa më normal para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Jordanise, që do të zhvillohet më datë 10.10 2018, në orën 20:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.

shqiperi izrael policia 2016
shqiperi izrael policia 2016

Për mbarëvajtien e kësaj ndeshjeje do të angazhohen 135 forca policie të Rendit, Qarkullimit, Shqiponjat, FNSH-ja dhe Policia Kriminale. Do ketë bllokim të aksit në drejtim të stadiumit, duke filluar nga ora 18:00 e datës 10.10.2018 deri në përfundim të aktivitetit sportiv, si dhe do të mbyllen lokalet rreth stadiumit.

Të gjithë tifozët do të kontrollohen në hyrje të stadiumit nga forcat e policies, ku nuk do të lejohet futja e sendeve të forta, shisheve me tapë, fishekzjarreve, monedhave apo metaleve (të çfarëdo lloji), si dhe të çelsave.

Drejtoria Vendore e Policisë së Elbasanit iu kërkon qytetarëve që të minimizojnë lëvizjen me automjete në akset që të çojnë drejt stadiumit, çka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN