MENU
klinika

"Marrëveshja për Brexit ende e mundur"

Merkel ende nuk i ka humbur shpresat…

17.10.2018 - 18:15

Gjermania po përgatitet që Britania të dalë nga Bashkimi Evropian pa asnjë marrëveshje, thotë Angela Merkel megjithëse beson se një marrëveshje është ende e mundur.

Edhe pse është përballur në javët e fundit me vështirësi të brendshme politike, Angela Merkel shfaqi besim, në një periudhë kohore shumë afër takimit vendimtar të BE për Brexit.

Çuditërisht, kancelarja nuk e përmendi largimin e afërt të Britanisë për 15 minuta në fjalimin e saj zyrtar qeveritar.

Siç bën zakonisht në fjalimet parlamentare, kancelarja filloi duke renditur avantazhet e një Evrope të bashkuar. Dhe kur foli për Mbretërinë e Bashkuar, fjalët e saj nuk ishin aspak pesimiste.

“Të dyja palët kanë treguar vullnet dhe gatishmëri për kompromis” tha Merkel. Megjithëse përmendi që për fat të keq nuk ka pasur asnjë marrëveshje për çështjen e kufirit midis Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër.

BE dëshiron të shmangë çdo lloj kufiri të vështirë midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës në përputhje me marrëveshjen e paqes së vitit 1999. Merkel riafirmoi mbështetjen e saj për këtë qëndrim.

Merkel tha se mundësia për arritjen e një marrëveshjeje të mirë dhe të qëndrueshme në kohën e duhur ishte “ende aty”, por shtoi se Gjermania po përgatitej tashmë edhe për të kundërtën e kësaj duke marrë parasysh se çfarë do të mund të nënkuptojë kjo për çështje si detyrimet doganore dhe statusin e qytetarëve britanikë që jetojnë në BE.

Kjo nuk ishte një deklaratë e zakonshme qeveritare. Fjalimi i kancelares iu drejtohej sa votuesve gjermanë, sa edhe qytetarëve të Mbretërisë së Bashkuar. Nga njëra anë, më shumë se 80 për qind e gjermanëve thanë në sondazhin e fundit të Komisionit Evropian se vendi është më mirë brenda BE.

Nga ana tjetër, shumë nga këta njerëz nuk janë realisht të kënaqur me mënyrën sesi aktualisht blloku funksionon.

Merkel vetë e konsideron Britaninë e Madhe si një shembull negativ për vendet e tjera të BE. Në të njëjtën kohë, kancelari dhe pjesa tjetër e liderëve të 27 shteteve të mbetura të BE nuk mund të lejojnë të largohet një partner i madh tregtar si Britania duke u paraqitur si “hakmarrës” gjatë negociatave të Brexit.

Merkel mund të ketë të drejtë kur ajo argumenton se bashkimi doganor evropian dhe monedha e përbashkët ndihmojnë anëtarët e BE kundër pasigurisë ekonomike globale. Por edhe gjithnjë e më shumë detyrohet të pranojë se blloku nuk është një forum i mirëfilltë për tu marrë me të gjitha çështjet e ditës, si për shembull, çështja e emigracionit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN