MENU
klinika

Mundësi shqiptar

Mes të arrestuarve, edhe kampioni i botës

22.10.2018 - 15:38

Operacioni i Policisë së Shtetit në mbarë vendin me emrin e koduar “VOL-VO 4” ka vënë në pranga edhe kampionin e botës në mundje, sportistin e njohur shkodran Elis Guri, që figuron mes emrave të arrestuar, ku janë goditur 4 grupe kriminale.

Mundësi shkodran akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, si dhe pastrim i produkteve të veprës penale.

Ai bën pjesë në listën prej 18 personave, të cilët janë konsideruar si grup kriminal i rrezikshëm. Elis Guri ka lindur në Shkodër, më 6 korrik 1983 dhe është një sportist shqiptar i mundjes klasike në peshën 96 kg.

elis guri
elis guri

Suksesi i tij më i madh shënohet së pari në Kampionatin Europian  që u zhvillua në Finlandë, ku Elis Guri shpallet fitues i medaljes së bronzit në peshën 96 kg. Elis Guri pastaj garoi për Bullgarinë dhe më 13 shtator 2011 mori medaljen e arit në Kampionatin Botëror të Mundjes në kategorinë 96 kg.

Për momentin ende nuk dihet realisht se cila akuzë rëndon së tepërmi mbi kampionin e mundjes, por nga burime të “Konica.al” bëhet fjalë thjesht për biseda telefonike që ai ka bërë me eksponentë të ndryshëm dhe jo i përfshirë direkt.

Pak ditë më parë në Shkodër u arrestua edhe ish-portieri i Vllaznisë dhe trajneri i Kombëtares së femrave, Amir Grima, i cili ende gjendet në paraburgim, duke mos fituar të drejtën edhe në Apel për t’u gjykuar në gjendje të lirë.