Kryetari i partisë opozitare, VMRO-DPMNE, Hristian Mickoski, në një dalje publike për mediat ka folur lidhur me krizën e re politike të cilën po përjeton vendi.
Mickoski, ofroi një nga opsionet e tij për daljen nga kjo krizë, ku sipas tij, kryeministri Zaev duhet të heqë dorë nga Marrëveshja e Prespës e më pas të shkohet në zgjedhje pas së cilave do të formohej Prokurori e re Publike.
“Por, njëherë do ta analizoj periudhën e funksionimit të Qeverisë aktuale, të gjitha aferat dhe dyshimet për krim lidhur me Qeverinë aktuale, përfshirë edhe parregullsitë në referendum, por, edhe të gjitha ato materiale që janë pjesë e materialit të përgjuar ilegalisht, e që kanë të bëjnë me Zoran Zaevin dhe LSDM-në”– tha Hristian Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Edhe varianti tjetër i Mickoskit është që të shkohet në zgjedhje me kërkesat tashmë të njohura si Qeveri e Përzhinës 100 ditë para zgjedhjeve, prokuror publik me propozim të opozitës dhe komision anketues për referendumin.
Ndërkohë i pyetur nëse një pjesë e deputetëve të DPMNE-së negociojnë për të siguruar shumicë në Kuvend, për miratimin e ndryshimeve kushtetuese që dalin nga Marrëveshja me Greqinë, kreu i opozitës shprehet:
“Nuk do të doja të besoj dhe nuk mund të besoj nëse dikush në këtë shtet mendon të bëj pazar me diç për të cilën qytetarët e këtij vendi më 30 shtator qartë treguan se e refuzojnë.”
Sipas Mickoskit, zgjedhjet eventuale të parakohshme pa Qeveri të Përzhinës, do të ishin kundërligjore dhe tentativë që Zaev edhe më tej të mbetet në pushtet.
Ai nuk u përgjigj nëse VMRO-DPMNE do të merr pjesë ose do t’i bojkotojë zgjedhjet eventuale, në rast se kryeminsitri Zaev nuk përmbush kërkesat e tij.