MENU
klinika

Albert Çaçi

Militarizimi i Arktikut

24.10.2018 - 15:54

Javën e  shkuar aeroplanmbajtësja Truman e Flotës së 6 të Marinës së SHBA  e shoqëruar nga grupi i saj mbështetës kaloi  rrethin polar arktik për të marrë pjesë në manovrat ushtarake detare Trident Juncture   2018. Në këto manovra të NATO-s  do të marrin pjesë 5000 ushtarë nga 30 vende dhe do të zhvillohen në veri të Norvegjisë rreth  1000 km pranë kufirit detar me Rusinë. Është për herë të parë mbas vitit 1991 që një anije luftarake  amerikane  e kësaj klase  futet në Arktik.

Siç duket tashmë, kohës së një detante gati 25-vjeçare ku mbizotëroi në përgjithësi një periudhë paqe, po i vjen fundi.

Nuk ka  më asnjë dyshim se  ndryshimi i  ekuilibrave ndërkombëtare po hap fronte konfrontimi gjeopolitike dhe gjeoekonomike. Janë disa fronte të nxehta pasojë e këtij konfrontimi, si e përhershmja  Lindje e Mesme, Ukraina, Deti i Kinës Jugore. Por një front i ri mjaft i rëndësishëm po konfigurohet me shpejtësi, dhe ky është Arktiku. Një  ripozicionim i vrullshëm  ushtarak po kryhet në këtë zonë që ka qenë nga më të qetat pas Luftës  së Ftohtë.

Arktiku konsiderohet një nga zonat më të pasura të globit. US Geological Survey ka vlerësuar se në këto ujëra ndodhen rreth 90 miliardë fuçi nafte dhe 47 trilion metër kub gaz  si dhe mjaft metale të rralla.

Ajo që po e bën më evidente këtë interesim të madh është  rritja me 4 gradë e temperaturave dhe parashikohet që bankiza polare të shkrijë në vitet 2030  duke rritur mundësinë për lundrim gjatë gjithë vitit. Dhe këtu ndryshon gjithçka. 

Korridori i Arktikut (Northern Sea Route)  që tani mundëson lundrimin  nga ngushtica e Beringut deri në Murmansk për më pak se 8 muaj, duke shkurtuar distancën Shanghai -Rotterdam me 4000 km dhe 23 ditë  në raport me kalimin nga Suezi.

Mundësia e garantimit të një fete sa me të madhe të kësaj torte nuk mund të imagjinohet pa një garantim ushtarak maksimal.  Prandaj ndihet ky vringëllim armësh në Arktikun e bardhë dhe të qetë deri tani. 

Por ka një specifikë në këtë rikthim të demonstrimit të forcës pas 25 vitesh ne Arktik. Nëse atëherë në konturet e Luftës se Ftohtë përballë ishin Rusia dhe SHBA, këtë herë është edhe një aktor i tretë me një ambicie të deklaruar qartë, megjithëse nuk është një vend arktik. Dhe kjo është Kina.

Rusia ka përcaktuar qartë se Artiku është një problem jetik për të. Rezervat e naftës dhe gazit që disponon Rusia janë në një konsumim shumë të madh për shkak të nevojave të buxhetit për shfrytëzimin maksimal kondicionuar  edhe nga  embargoja perëndimore. 

Kështu që pas vitit 2020 Rusia do të hyjë në një trajektore zvogëlimi prodhimi dhe futja në punë e burimeve të Artikut merr një rëndësi fondamentale për ekonominë ruse. Aktivizimi i  vendburimit gjigand të Yamalit  në brigjet e Artikut me rezerva  26 trilion metër kub gaz  bëhet imperativ për ta. Me një investim prej 29 miliard dollarë së bashku me kinezet , ky vebndburim do të jetë një nga më të mëdhenjtë në botë për prodhimin e GNL, por edhe për të furnizuar Kinën.

Prandaj Rusia ka 5 vjet që ka nisur një plan riamartimi në Artik. Ajo ka nisur punën për  rihapjen 26 bazave sovjetike të Luftës së Ftohtë  në Arktik ku ka filluar edhe dislokimi i trupave  të parë specialë për luftën në kushtet e Arktikut  në 6 bazat permanente.  Në ishullin Novaja Zemlja ka bërë instalimin  e sistemeve të radarëve të avancuar  S-400 për të garantuar edhe vendburimet ne detin e Karës dhe Yamalin. Ka vëne në punë 13 aerodrome dhe  Flota detare e veriut, e vendosur jo shumë larg kufirit norvegjez në Severodinsk është fuqizuar në vitet e fundit me 6 nëndetëse atomike moderne  Borey .

Rusia ka një avantazh të madh në Arktik pasi posedon 26 anije akullthyese nga të cilat 9 atomike që nuk i ka asnjë shtet tjetër. Paisja më akullthsyese bën diferencë të madhe për lundrimin në Oqeanin Polar.

Nga ana tjetër  SHBA  nuk mund të lejojë këtë lloj supermacie ruse aq më tepër që  trajektoret e raketave balestike interkontinentale  ruse në rast sulmi kalojnë mbi polin e Veriut  dhe s’mund t’i lejojnë atyre   thellësi strategjike të siguruar.

Përfundimi i Luftës së Ftohtë ku nëndetëset atomike amerikane patrullonin gjithë Atlantikun e Veriut dhe Oqeanin Polar dhe   dobësimi i Rusisë se Yeltcinit bëri që gjithë bazat  e NATO-s sidomos në Norvegji, Islandë dhe Groenlandë  të mbylleshin.

Por vendimi i Obamës për të mos lejuar eksplorimin e naftës në Alaskë e zvogëloi edhe më shumë  interesin e SHBA  për Arktikun. Fakti që ata zotërojnë vetëm një anije akullthyese dhe kantjeret e prodhimit të tyre janë mbyllur e demostron këtë.

 Por ardhja e Trump dhe vendimi për të rinisur shpimet për naftë  në Alaskë  dhe sidomos sfida që po i bën Putini në këtë rajon i kanë ndryshuar kartat përsëri. SHBA po dislokon me shpejtësi rreth 25000 trupa në Alaskë , do të rinisë prodhimin e akullthyeseve, po rihap bazën e  NATO-s Thule në Groenlandë si dhe po riaktivizon bazën më të madhe  të NATO-s  për nëndetëse në Arktik në Olavsvern në veri të Norvegjisë. Po instalon sistemet antiraketë  në Groenlandë dhe ka ripozicionuar 90 satelitë  që kontrollojnë territorin  arktik rus  non stop.

Gjithashtu në Alaskë ka instaluar sistemë të sofistikuar dronesh Mous  dhe ka rinisur patrullimin e nëndetesve atomike  pranë Arktikut. Futja së fundmi e Truman dhe riaktivizimi pas më se një dekadë e Flotës së Dytë të Atlantikut  është sinjal i qartë për Moskën se këtej e tutje nuk do të jetë e vetme në këto ujëra.

Në këtë zonë kanë filluar të duken edhe kinezët. Një grup anijesh luftarake kineze kaluan në fillim të vitit  ngushticën e Beringut dhe u futën për herë të parë në historinë e tyre në Arktik. Kina 70% te eksporteve të saja i kryen në rrugë detare dhe në kushtet e reja   Northern Sea Route mund te jetë një alternativ me shumë leverdi ekonomike dhe mbi të gjitha e sigurtë. Objektivi i Kinës është që brenda vitit 2020 të kalojë 15% të  eksporteve të saj në këtë drejtim. Për këtë është shumë e interesuar që të investojë për ndërtimin e infrastukturës së nevojshme në territorin rus aq më tepër që të drejtën për garantimin e lundrimit të kësaj rruge detare OKB ja ka njohur Rusisë. Kina ka investuar 89 miliard dollarë në 5 vitet e fundit që nga Yamali rus, miniera ne Groenlandë dhe Rusinë siberiane, Infrastruktura portuale dhe hekurudha gjatë brigjeve veriore të Siberisë. Po kështu Kina po kompleton prodhimin e 4 akullthyeseve moderne  nga 10 që ka në plan deri në vitin 2025. Nuk do shumë komente veprimi që një vend 2500 km larg Arktikut ndërton 10 akullthyese.

Po duket tashmë qartë se një Luftë e re e Ftohtë po duket në horizont. Nuk është akoma në termat klasikë të fjalës por trajektorja e veprimeve nuk po lë më vend për dyshime.

Por në diferencë me konfrontimin e 30 viteve më parë sot sistemi i armatimeve ka bërë një zhvillim impresionues  dhe një konfrontim ushtarak mund të jetë me pasoja katastrofike.

 Do të jetë një mëkat i madh që një nga zonat më të virgjëra dhe me të pastra të globit të bëhet objekt i konfrontimeve ushtarake.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albert Çaçi

Pasojat e globalizmit

Analiza/ Albert Çaçi

Plani i shekullit