MENU

Opinion

Në përpjekje për të njohur dhe luftuar BIXHOZIN

30.10.2018 - 14:49

Nga Igli Tola

Koncepti i lojërave të fatit, edhe pse në trajta primitive dhe simpliste shfaqet së pari në Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili besohet se është zbatuar në krahinat veriore të vendit që nga vitet 1458 – 1481. Në nenin e 68-të të tij flitet për ndarjen e kufijve apo pronave me anë të “gurapeshit” apo me “rrasë të ngarkueme”. Forma e parë konsistonte në hedhjen e gurit; kush e hidhte gurin më larg merrte pronën më të madhe. Mënyra e dytë, ajo e rrasës së ngarkuar, konsistonte në ngarkimin e një rrase apo të një guri të madh në kurriz dhe ecjen me të. Sa më larg të ecte personi, aq më e madhe prona. Deri aty ku ndalonte personi, deri aty shkonte kufiri i pronës.

Megjithatë besohet se fenomeni ka lindur së bashku me civilizimin human. Në antikitet ekzistonin forma antike të lojrave të fatit, jo ‘black jack’ apo ‘slot machine’ që luhen në ditët e sotme. Loja me zare ishte shumë popullore në Persi dhe Egjipt, saqë në piramida (varret e egjiptianëve të lashtë) janë gjetur hieroglife që përshkruajnë skena nga loja. Kurse në qytetet e mëdha kineze, në çdo rrugë kryesore, kishte nga një vend ku luhej bixhoz, duke e kthyer ‘kumarin’ në pjesë të pandarë të kulturës kineze që në vitin 1000 p.k. Format më popullore të bixhozit ishin bastet për ndeshjet dhe garat mes kafshëve. Në ‘arenë’ duelonin çfarëdo lloji apo specie që ofronte Fauna: gjela, qen,kuaj, e deri te brumbujt.

Ka disa arsye përse njërëzit tërhiqen nga bixhozi. Arsyeja më e dukshme është shpresa e njerëzve për të fituar. Qartazi rezultati potencial i bastit është të fitosh dhe individët fokusohen në mundësinë e fitores, pavarësisht probabilitetit të ulët të ndodhes së kësaj ngjarje. Një tjetër arsye e elaboruar është natyra shoqërore e këtij aktiviteti. Ka shumë veta rreth e rrotull që argëtohen me të njëjtën lojë. Të ankohesh për një dorë të keqe me letra apo të gëzohesh për një ‘jackpot’, zhvillon një ambient shoqëror të natyrshëm. Disa njerëz e shikojnë bixhozin si formë argëtimi. Ata janë të mahnitur nga sjelljet e lojtarëve të tjerë apo nga raundet bonus në një makinë elektronike.

Pamja dhe zhurma e kazinosë i ekzalton ata dhe i shtyn ata në kërkim të emocioneve maksimale. Ata e shikojnë si sfidë përdorimin e inteligjencës së tyre për të maksimizuar fitimet apo minimizuar humbjet. Së fundmi, disa njerëz luajnë për shkak të një çorientimi në sjellje që quhet ‘kumar’ apo ‘bixhoz patologjik’. Ata me këtë çrregullim në kontrollimin e impulseve nuk mund të kontrollojnë nevojën e tyre për të luajtur.

Pikërisht këtij ‘deviacioni’ (vesi) i kanë kushtuar shumë studime socio-filozofike për të kuptuar zanafillat, ecurinë, persiatjet, degradimin dhe rrënimin që shkakton në shoqëri. Dostoyevsky, në veprën e tij “Kumarxhiu” (1866), një analizë imagjinare e eksperiencave të tij, shkruan për një çrregullim konjitiv, humbje të kontrollit, të vetëbesimit dhe të shpresave. Po ashtu, Frojdi ishte veçanërisht i interesuar për arsyet pse njerëzit kërkonin qëllimisht dhe përsërisnin sjellje vet-shkatërruese. Ai besonte se kjo nuk bëhej për paratë që lojtarët luanin, por për lojën në vetvete, për atë që psikoanalistët e sotëm i referohen si veprim. Frojdi mendonte se bixhozi shkaktonte varësi dhe e vendosi atë në një trekëndësh me varësinë nga droga dhe alkooli.

Së fundmi, përveç pasojave sociale që sjell ‘kumari’ po bëhen kërkime tejet serioze për implikimet në ekonomi dhe financat e familjeve, duke i paraqitur humbjet financiare si kostot më imediate dhe imponuese ndaj bixhozxhiut në agoninë e çrregullimit. Në një studim të realizuar në Australi, shumica e bixhozxhinjve raportuan se përdornin rrogën e tyre për të financuar lojrat, plus kartat e kreditit (38.7 përqind), i merrnin borxh miqve dhe të afërmve (32.9 përqind) dhe merrnin kredi nëpër banka dhe institucione financiare (29.8 përqind). Në Kanada, një sondazh i financuar nga buxheti i shtetit zbuloi se, mesatarisht bixhozxhinjtë patologjikë shpenzonin midis 1000 deri 5000 dollarë në muaj duke luajtur, dhe përdornin kursimet familjare (90 përqind), huamarrjen e parave (83 përqind), ose të dyja. Një tjetër kosto për individët e dhënë pas lojrave të fatit, është humbja e punës për shkak të bixhozit. Më shumë se 60% e të anketuarve, humbasin në muaj, më shumë se 12 orë punë. Falimentimi është një tjetër pasojë negative pasi 20% e bixhozxhinjve patologjik raportuan borxhe deri në 500,000 dollarë.

Kërkimet sygjerojnë se shkalla dhe shtrirja e pasojave personale mbi lojtarin patologjik dhe mbi familjen e tij/saj, mund të jenë të rënda, deri në kufijtë e fatalitetit. Këto sjellje shkatërruese kontribojnë tek çështjet shqetësuese mbi bixhozin patologjik dhe nevojën për më shumë kërkime për të kuptuar koston e tij sociale ndaj individëve, familjeve dhe komuniteteve.

Ky sygjerim është sot më shumë se kurrë aktual në Shqipëri. Miratimi i projektligjit për të ndaluar bastet dhe gjithë format e tjera të lojrave të fatit duket se është për tu përshëndetur në pamje të parë, por zakonisht veprimet e nxituara sjellin efekt ‘boomerang’. Pa ditur shkallën e përhapjes së ‘gangrenës’, grupin social më të prekur etj, nuk mund të hidhemi në sulm gueril. Duket si luftë ‘don Kishotiane’ me mullinjtë e erës, zotim për të luftuar diçka që nuk dimë ekzaktësisht çfarë është. Mjafton një fakt për të vërtetuar ‘terrin’ mbi fenomenin, sipas Kryeministrit xhiroja e gjeneruar në total nga gjithë kjo industri shkon në një miliard euro në vit. Nga këto, vetëm 130 milionë deklarohen në shtet, ndërsa mbi 800 milionë euro janë evasion fiskal. Kur 800 milionë euro qarkullojnë sot ‘nën hundën’ e shtetit pa u arritur të kontabilizohen, çfarë na bind që pas 1 Janarit kjo shifër do të zerohet.

Privimi nuk ka qenë rezultativ ndonjëherë në praktikën njerëzore, kujtojmë periudhën kur konsumimi i alkoolit ishte i ndaluar në Amerikë. Kjo masë jo vetëm që nuk e ‘asgjesoi’ këtë ves, por solli lulëzim e ‘malavitës’, kontrabandës dhe kriminalitetit. Zgjidhja mbetet sensibilizimi dhe parandalimi, për ta kufizuar dhe mbajtur fenomenin nën kontroll, pasi vesi lind dhe vdes së bashku me njeriun…