MENU
klinika

15-vjetori i lumturimit!

Nënë Tereza, shqiptarja që mrekulloi botën!

19.10.2018 - 15:59

Si sot 15 vjet më parë, në 19 Tetor 2003, Nënë Tereza u lumturua nga Papa Gjon Pali i 2 në Vatikan.

E lindur më 26 gusht 1910 në Shkup të Maqedonisë, me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhi, e njohur nga të gjithë si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës, ajo ishte një murgeshë katolike dhe misonare bamirësie.

Pasi jetoi 18 vjet në Maqedoni, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi ‘Misionarët e Bamirësisë’, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4500 motra dhe ishte aktiv në 133 vende.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”.

Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet shenjt nga Kisha Katolike e Romës.

Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj.

“Nënë Tereza ka deklaruar se prej gjaku jam shqiptare, prej kombësie indiane, prej besimi katolike, prej thirrje e mbarë botës dhe prej zemrës një me zemrën e Krishtit.

Çdo 19 tetor, veçanërisht Shqipëria dhe India, kujtojnë përvjetorin e lumturimit të Nënës Terezë, Gonxhe Bojaxhiut, e cila nuk është vetëm festë liturgjike, por Festa Kombëtare e Saj.

Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte.

Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Në vitin 2003 Aeroportit të Tiranës, iu dha emri “ Nënë Terezë”, ndërsa në hyrje të aeroportit u inaugurua edhe busti i saj.

19 tetori, dita e lumturimit të saj është shpallur festë kombëtare në Shqipëri. Nënë Tereza prehet në selinë e Urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Unë gjithmonë e kam në zemër Shqipërinë!

Nënë Tereza dhe Shqipëria