MENU
klinika

Lëvizjet kundër

Ngritjet krye të Shqipërisë në vitet 1550-1600

03.10.2018 - 10:30

Këto vite karakterizohen nga disa lëvizje që nga ana e Perandorisë Osmane quheshin kryengritje kundrejt sulltanit dhe perandorisë si dhe sistemit të timarit, kurse nga ana tjetër quhen lëvizje me karakter kundërshtimi kundër kushteve të jetesës, pra si lëvizje sociale. Zakonisht për kundërshtimin e taksave krijohesh rezistencë kundrejt sistemit. Një formë e rezistencës ishin dhe plaçkitja apo vrasja e spahijve, njerëzve të tyre, apo vjedhja e gjësë së gjallë, ushqimeve të dimrit, pritat e rrugëve, plaçkitjet e nënpunësve etj.

Në këtë këndvështrim kjo kohë quhet ndryshe si kryengritjet e Dukagjinit, por në fakt shpreh vale-valë ishte një kundërshtim të gjithë zonës ku shtrihej Shqipëria. Për këtë problem ka një sërë studimesh nga I. Zamputi, nga S.Pulaha, nga A. Matkovski etj. S. Pulaha dhe A. Matkovski janë mbështetur në burimet osmane.

Në verën e viti 1532, disa fshatra mbi Pargë nuk kishin paguar tatimin. Pushteti qendror kishte dërguar një flotë e cila ishte ankoruar në gjirin e Artës dhe kishte hyrë në Prevezë. Me urdhër të sanxhakbeut, njëqind kalorës kishin shkuar në fshatrat mbi Pargë për të nxjerrë tatimin.

Banorët, pasi i lanë kalorësit të hynë në fshatrat, rrënuan një urë kalimi, vranë 50 kalorës dhe 50 i zunë robër. Qeveritari venedikas ishte i mendimit se si masë për vendosjen e rregullit në këtë zonë do të ishte shfarosja e tyre nga faqia e dheut. Me sa duket, ai nuk donte t’i prishte marrëdhëniet me osmanët.

Nga shekulli i XVI nisi një etapë e re në depërtimin e mëtejshëm të sistemit të timarit më në brendësi të tokave shqitpare. Spahijtë nga kështjellat e Shkodrës, të Podgoricës, të Zhabjakut, të Medunit e të Plavës dhe në disa qyteza u sulën drejt krahinave autonome, por kudo gjetën një rezistencë që mori formën e lëvizjeve lokale në Malësinë e Madhe, në Dukagjin, në Dibër dhe në Kurbin.

Në muajt shkurt-prill 1560, më shumë se mbi 500 të krishterë të fshatrave Reç, Dardhë, Vlashan, Prega, Qidhna dhe Lura, prej nahijes së Dibrës se Poshtme, të njohur për kryengritje, kishin grabitur dhe bastisur disa fshatra, kishin djegur disa shtëpi, kishin rrëmbyer gjënë e gjallë, zahirenë dhe kishin plagosur disa njerëz. Sulltani urdhëroi kapjen dhe dënimin e tyre sipas sheriatit.

Kadiu dërgoi njerëz tek ata dhe u bëri thirrje t’i bindeshin sheratit, mirëpo ata jo vetëm që nuk u bindën, por kishin sulmuar fshatrat Homesh (Hovesh), Beveç dhe Qidhna, u kishin marrë zahirenë dhe gjënë e gjallë, kishin vrarë dhjetë njerëz myslimanë dhe të krishterë. Përsëri sulltani urdhëroi ndërshkimin e njerëzve të tillë që nuk i binden sheriatit.

Në rast se ata do të bënin rezistencë, sulltani urdhëronte t’i vrisnin njerëzit kokëfortë dhe të pastrohej vilajeti nga ngatërrestarët. Atyre mos u prekeshin familjet, pasuria dhe ushqimet.

 

Sulltani urdhëronte përgatitjen e mirë të kadinjve të Dibrës dhe Matit. Në muajin prill të atij viti, sulltani njoftoi se, si reagim ndaj urdhrit të pushtetit qendror për t’i nënshtruar, ishin grumbulluar mbi 500 të krishterë dhe me flamur kishin bastisur gjatë copë fshatra, kishin djegur shtëpitë e disa spahijve dhe të rajave, kishin plagosur disa nga njerëzit e tyre dhe u kishin rrëmbyer gjënë e gjallë.

Sulltani urdhëroi Ahmet Beun e Ohrit dhe pensionistin Çaush Koçiun, ish-çaush i Portës së Lartë, që të niseshin kundër tyre; më kokëfortët të shkoheshin në shpatë, kurse fëmijët t’u merreshin rob dhe t’u konfiskohej pasuria.

Një ditë më vonë, sulltani, në një letër drejtuar beut të Ebasanit, e pranon se kthimi i fëmijëve në robër dhe grabitja e pasurive të tyre, binte në kundërshtim me sheriatin, prandaj të mos zbatoheshin ato urdhra.

Ndëshkimi të binte vetëm mbi shkaktarët. Më 27 prill 1560, sulltani ngarkoi si të dërguar të pushtetit qendror Omerin, I cili duhej të bashkëpunonte me Ahmet Beun e Elbasanit dhe Çaush Koçiun.

Beu i Ebasanit nuk guxoi të ndërmerrte një sulm frontal. Sulltani, në urdhrin e tij të datës 21 gusht 1560 drejtuar sanxhakbeut të Elbasanit, nguli këmbë që të shkoheshin në shpatë më kokëfortët, familjet e tyre të merreshin rob, pasuria t’u rrëmbehej dhe t’u plaçkitej. Këtë radhë sulltani shkeli sheriatin. Me sa duket, qëndresa do të ketë qenë e fortë, se e bëri atë të shkelë sheriatin.

Në tetor të vitit 1560, mësohet se të krishterët e fshatit Reç të sanxhakut të Ohrit, që kishin kohë që ishin në kryengritje, ishin bërë udhëheqës të kryengritësve të tjerë të atij sanxhaku. Ata kishin sulmuar kullotat veriore të Vojvoda Ferhad, së bashku me kethudanë e vet, Rizvanin dhe Kara Hyseinin, i kishin ndjekur, dhe në luftë e sipër, 5-10 vetëve u kishin prerë kokat, kurse gjënë e gjallë e kishin kthyer në vend.

A mund të quhet kryengritje një veprimtari që u afrohet më shumë me një lëvizje kaçake, që mund të afrohet më shumë me ekspeditat me karakter plaçkitës të çetave të armatosura.

Pas vendosjes së qetësisë sulltani shpërbleu me timare dhe pjesë timaresh të gjithë ata që ishin dalluar në shtypjen e lëvizjeve.

Një përfundim tjetër që mund të nxjerrin, është se kjo lëvizje e karakterit social u shtyp me forca të rekrutuara në shumicën e rasteve nga tokat shqiptare. Me fjalë të tjera, ajo është shtypur nga vetë shqiptarët.

Pas nënshtrimit, si zakonisht bëhej regjsitrimi. Sipas një regjistri të datës 25 nëntor 1560, në nahijen e Dibrës së Poshtme nuk ishin pranuar të regjistroheshin fshatrat Reç i Madh, Bardhaj, Ardë, Pregë, Zabzun, Arrë dhe Lurë. Kjo do të thotë se banorët e atyre fshatrave vazhdonin të mos bindeshin dhe të mos shlyenin detyrimet.

Në periudhën prill-maj 1560, kryengritësit e nahijes së Mysjes të sanxhakut të Ohrit kishin dëmtuar tregëtarët që shkonin në limanët dhe kriporet e Lezhës, Shkodrës dhe Durrësit. Kjo bëri që në ato limane të mos vinte njeri.

Kështu, ishin dëmtuar të ardhurat nga doganat e limanët. Rrugët ishin kapur prej tyre. Meqënëse Memet Emini, dizdar i kalasë së Prezës nuk po e kryente detyrën e ruajtjes së rrugëve, kjo detyrë i ngarkohet Balit, që ishte pushtuar më parë nga dizdarllëku i kalasë së Dervenit.

Ndonëse dokumenti Osman banorët e Mysjes i quan kryengritës, kjo nuk mund të quhet lëvizje kryengritëse, veprimet e armatosura që synojnë grabitjen e tregëtarëve dhe të udhëtarëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ana tjetër e të shikuarit /Paskthim

Shqiptarët në perandori sipas këndvështrimit turk