MENU
klinika

Kostot e spitaleve

Një pacient i kushton shtetit 530 euro

17.10.2018 - 12:57

Sa i kushton shtetit një i sëmurë që trajtohet në spital? Qendra më e madhe spitalore universitare në vend, “Nënë Tereza”, ka përllogaritur kostot e disa shërbimeve shëndetësore që ofrohen, që bashkë me koston për çdo pacient të trajtuar, u përllogaritën edhe shpenzimet e nevojshme për të mbajtur të shtruar një pacient, për 24 orë.

Më konkretisht, brenda kostove u përfshinë medikamentet, analizat, paga e personelit, pajisjet shëndetësore, shërbimin, rehabilitimin, energjinë elektrike, ujin, si dhe shërbime të tjera teknike apo profesionale. Brenda kësaj kostoje, u përllogarit gjithashtu edhe shpenzimi që i kushton shtetit çdo hallkë apo çdo procedurë për të cilën duhet të paguhet nga administrata.

Në mesatare, shpenzimet për një pacient shkojnë në 66,362 lekë (rreth 530 euro), ndërsa kostoja për ditë shtrimi në spital në 10,471 lekë.

Kështu, në spitalin e sëmundjeve të brendshme, për trajtimin e një pacienti, kostoja arrinte shifrën 37,687 lekë, ndërkohë që për një ditë shtrim në repartet e këtij shërbimi, shteti paguan 6,205 lekë.

Kirurgjia rezultoi ndër shërbimet më të shtrenjta. Sipas përllogaritjeve të specialistëve të kësaj qendre, rezulton se për një pacient në shërbimin e kirurgjisë, spitalit i duhet të shpenzojë 87,864 lekë dhe për një ditë shtrim në këtë pavijon, shpenzimi arrin në 10,242 lekë.

Në shërbimin e Onkologjisë, në pavionin e tumoreve, për një pacient kostoja është përllogaritur të jetë 42,975 lekë, ndërkohë që për një ditë shtrimi, kostoja shkon në 18,943 lekë.

Pediatria, ku trajtohen fëmijët nga 0-13 vjeç, për një të sëmurë, kostoja është 46,482 lekë dhe për 24 orë shtrim, një ditë shpenzimi është 8,002 lekë.

Në shërbimin e Infektivit, kostoja për një pacient shkonte në 79,080 lekë dhe për një ditë shtrim, shpenzimi ishte në vlerën e 13,023 lekëve.

Shërbimi i Neurologjisë, që trajton sëmundje të shpeshta, ka kosto të lartë. Për një pacient financimi është 89,389 lekë dhe një ditë shtrimi kushton 10,713 lekë.

Në Neurokirurgji, kostoja për një pacient ishte 59,103 lekë dhe për një ditë shtrim, fatura arrinte në 7,833 lekë. Psikiatria e ka koston për një pacient 35,230 lekë dhe për një ditë shtrim 3,122 lekë.

Të gjitha këto kosto, që duhen përditësuar kohë pas kohe, janë barrë ndaj buxhetit të shtetit dhe konsiderohen të larta. Ndaj apelohet gjithnjë tek kontrolli periodik i shëndetit, me qëllim parandalimin e sëmundjeve, trajtimi i të cilave kushton disa herë më shumë se sa kur ato diagnostikohen që në fillimet e tyre.

Strategjia Kombëtare për Shëndetësinë, synon rritjen e financimeve në shëndetësi, deri në 4% të PBB-së në vitin 2025.

Shërbimi publik mbulohet nga më shumë se 40 spitale, gjysma e të cilave janë nëpër qarqe, 11 janë rajonalë, 4 qendra universitare, një qendër traumatologjie, dy qendra psikiatrike dhe një pediatri. Në të gjithë këtë sistem shëndetësor punojnë mbi 2 mijë mjekë të përgjithshëm, rreth 1600 të specializuar dhe një armatë infermierësh që e kalon numrin 10 mijë.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Paguhen 420 mijë analiza të pakryera

Dossier/ Milionat e falura të check up-it