MENU
klinika

Maja e ajsbergut?

Partitë, 250 financime të dyshimta

28.10.2018 - 12:25

Në katër vitet e fundit janë raportuar të paktën 250 sponsorizime e dhurime të dyshimta në favor të subjekteve politike. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, numri më i madh i tyre haset në vitin 2015, kur janë raportuar 102 raste të dyshimta.

Ndërkaq, partitë politike në Shqipëri nuk i publikojnë deklarimet financiare për publikun e gjerë, si dhe për anëtarët e tyre. I vetmi informacion është ai i mundësuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe i publikuar në faqen zyrtare të internetit të KQZ. Në faqet zyrtare të internetit te partive politike në Shqipëri nuk ekziston asnjë informacion i vlefshëm lidhur me financimet e partisë, donatorët, kuotizacionet financiare etj. Ka raste kur janë bërë publike disa të dhëna, por edhe ato dominohen nga shifra formale dhe kryesisht sponsorizime e nisma vullnetare, me fonde të papërfillshme në kuadrin e shumave të vërteta që përdorin partitë politike nëpër fushata.

Burime pranë Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, bëjnë të ditur se pjesa kryesore e raportimeve është bërë nga ana e bankave tregtare.

Mungesa e plotë e transparencës së burimeve të financimeve e sponsorizimeve të partive politike shihet prej kohësh me shumë shqetësim nga faktori ndërkombëtar. Ndërsa prej kohësh ka kërkesa të pandërprera për transparencën e fondeve tashmë kemi edhe një nismë në terren nga ana e tij.

Këshilli i Europës ka gati një projekt për të zbardhur financat e partive në vendin tonë. Sipas një raporti të KE, do të akordohen 1 milion euro dhe ekspertizë teknike për të luftuar krimin ekonomik dhe në veçanti rritjen e transparencës për financat e subjekteve politike.