MENU
klinika

Abuzimi nga kompanitë

Pasagjerët nuk kompensohen për anullimet

06.10.2018 - 16:44

Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Aviacionit Civil, janë rreth 4000 pasagjerë që përgjatë 2017-ës humbën fluturimin apo pësuan vonesa mbi 3 orë. Por, asnjë prej tyre nuk ka arritur të kompensohet për dëmin e shkaktuar.

Numri i vonesave dhe anulimeve të fluturimeve për vitin 2017 ishte 41, ku muaji janar mbahet me numrin më të madh të vonesave apo anullimeve (13), kryesisht për shkak të kohës së keqe. Autoriteti i Aviacionit Civil bën të ditur se numri i anulimeve ad-hoc për arsye teknike ose komerciale shkon 28-30.

Ndërkaq, të dhënat e vitit 2018 flasin për disa kompensime sporadike, që gjithsesi mbeten të ulëta në raport me numrin e pasagjerëve të dëmtuar.

Në rast vonesash apo anulimesh të fluturimeve, kompanitë ajrore kanë detyrimin për rimbursimin e pasagjerëve. Megjithatë ajo që vlen të theksohet është fakti se kompensimi dallon nga nocioni ‘rimbursim i shpenzimeve apo kthim i parave të shpenzuara për një biletë fluturimi të papërdorur’, çka do të thotë se pasagjeri i dëmtuar duhet të përfitojë një shumë të caktuar parash për shkak të situatës me të cilën është përballur. Sipas legjislacionit në fuqi, kompensimi në rast anulimi varet nga distanca e fluturimit dhe arsyeja e anulimit.

Nëse distanca e fluturimit është 1500 km apo më pak, shuma që duhet paguar është 250 €. Për distanca 1500-3500 km dhe të gjitha fluturimet brenda BE-së qoftë edhe mbi 3500km, shuma që duhet paguar është 400 €, ndërsa 3500 km apo më shumë, shuma që duhet paguar është 600 €. Ndërkohë që, nëse kompania ajrore mund të ofrojë ndryshimin e drejtimit për në destinacionin përfundimtar, i cili nuk kalon dy orë për fluturime më të shkurtra se 1500 km, tre orë për fluturime ndërmjet 1500 dhe 3500 km dhe katër orë për fluturime mbi 3500 km, atëhere kompensimi do të zvogëlohet me 50%.

Pagesa e kompensimit nuk bëhet vetëm në rastet kur kompania ajrore mund të dëshmojë se anulimi ishte shkaktuar nga një rrethanë e jashtëzakonshme, e cila nuk do të mund të ishte shmangur edhe nëse të gjitha masat e arsyeshme do të ishin ndërmarrë. Shembuj të rrethanave të jashtëzakonshme mund të përfshijnë kushtet meteorologjike, kufizime të kontrollit të trafikut ajror, rreziqet e sigurisë dhe grevat që ndikojnë në funksionimin e fluturimit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fluturimi 1929: Gjirokastër-Tiranë

A do rijetëzohet aeroporti i parë shqiptar?