MENU
klinika

Pse ndodhte kjo?

Për sëmundjet e rënda, shqiptarët flisnin jashtë oborrit!

18.10.2018 - 14:19

Në krijimtarinë folklorike të shqiptarëve ka një fond shumë të pasur krijimesh të shumëllojshme që ndriçojnë aspekte të ndryshme të fuqisë ndikuese të fjalëve në jetën e njerëzve. 

Në komunikimet ndërmjet shqiptarëve artikuloheshin dendur ‘fjalë e shprehje eufemike’, domethënë fjalë e shprehje të bukura të pëlqyeshme, dashamirëse, për të shënuar dukuri të papëlqyeshme, të shëmtuara, të rrezikshme e deri vdekjesjellëse.

Për shembull, nuk artikuloheshin emrat e shumë sëmundjeve sidomos të atyre nervore e psikike. Nuk thuhej fjala ‘epilepsi’ ose ‘sëmundja e tokës’, por artikuloheshin fjalët e togfjalëshit “e zuri ajo punë”, “i ra jashtë shtëpisë”, “ajo e tokës”, “i ra ajo punë” etj.

Në Shqipërinë e Mesme, veçanërisht ndër banorët e krahinave përreth Tiranës nuk artikolohej fare fjala ‘verem’, që në gjuhën popullore shënonte sëmundjen e tuberkulozit. Për dikë që vuante pathologjinë e tuberkulozit thuhej “është pak i zbehtë”, “ishte zverdhur pak”, etj.

Para përdorimit të antibiotikëve në shumicën dërrmuese të rasteve, kur infektohej me tuberkuloz një anëtar i familjes, shpejt a vonë infektoheshin edhe anëtarët e tjerë. 

Në situata të tilla shqiptarët thoshin se “në atë familje ka hyrë”, nënkuptohej tuberkulozi, por nuk përmendej emri i kësaj sëmundjeje të frikshme, që përcillte shumë të infektuar në varreza.

Për sëmundje vdekjeprurëse, shqiptarët përgjithësisht flisnin jashtë banesës, mundësisht edhe jashtë oborrit të shtëpisë.

Pse vepronin kështu?

Në shoqërinë tradicionale shqiptare kanë qenë mjaft të përhapura mendësitë se “të thuash emrin e ndonjë sëmundjeje në shtëpi është njësoj sikur e fton atë”, se “fjala të sjell hijen e sëmundjes me vete”, se “të përmendësh emrin e një sëmundjeje është njësoj si të zgjosh një qen të tërbuar që të kafshon”, etj.

Pasi flisnin në mënyrë të tërthortë për sëmundje të ndryshme ose njerëz të sëmurë me lloje të ndryshme pathologjish, shqiptarët pështynin tri herë në tokë.

Për mendësitë e shqiptarëve të shoqërisë tradicionale kjo mënyrë të pështyri funksiononte si masë parandaluese për të mos u infektuar nga sëmundja folësi ose familjarë të tij.

 

Zyhdi Dervishi: Lente të Ndërveprimit Simbolik

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN