MENU
klinika

Eksportet në rritje

Peshkimi jep shenja gjallërimi

05.10.2018 - 15:39

Peshkimi, një sektor prej afro tre dekadash në letargji, po jep shenja përmirësimi. Gjatë vitit 2017, eksportet vlerësohen me rritje mbi 20% në raport me vitin 2016. Sipas të dhënave zyrtare të Minsitrisë së Bujqësisë, janë eksportuar rreth 5582 tonë produkte peshku, nga 4630 tonë që u eksportuan në vitin 2016. E përkthyer në vlerë monetare, gjatë vitit 2017 produktet e eksportuara arritën në vlerën 33.5 milionë euro, nga 27.3 milionë euro një vit më parë.

Megjithatë, nga të dhënat zyrtare konstatohet se, pavarësisht rritjes së eksporteve me rreth 6.2 milionë euro, deficiti tregtar në këtë sektor është 27.7 milionë euro, për shkak të rritjes paralele të importeve. Vlera e produkteve të detit të importuara vitin e kaluar arriti në 61.2 milionë euro, nga 42 milionë euro që ishte në vitin 2016. Megjithatë, zyrtarët janë optimistë. Sipas tyre, nëse vijon kjo tendencë zhvillimi, sektori i peshkimit ka mundësi për t’u rritur nga viti në vit dhe drejt një konsolidimi final.

Nëse ka një zhvillim pozitiv të shënuar vitet e fundit në fushën e peshkimit është edhe strategjia, e cila, e shtrirë për disa vite – 2016-2021 – po synon t’i japë më shumë frymëmarrje këtij sektori. Vetë strategjia është e mbështetur në dy shtylla kryesore: përmirësimet ligjore dhe financimi i këtij sektori.

Specialistët e kësaj fushe shtrojnë nevojën e politikave të subvencionimit, për të mos mbetur vetëm tek pjesa e karburanteve. Strategjia ka parashikuar të mbushë boshllëqet aty ku janë konstatuar për vite e vite me radhë. Duke filluar nga kualifikimi i peshkatarëve e deri tek zgjerimi i porteve ekzistuese.

Me financimin e qeverisë shqiptare dhe të organizmave të huaj disa qendra peshkimi po u shërbejnë peshkatarëve, dhe nga ana tjetër, si ndihmesë konsiderohet edhe financimi për kompensimin e TVSH-së për çmimin e naftës që përdoret për anijet e peshkimit.

Ndërtimi i merkatove të peshkimit, përfshirë një infrastrukturë të tërë të riparimit, konsiderohet një pikë e fortë që sjell rritje të prodhimit, rritje të cilësisë dhe vlerës së tij, dhe nga ana tjetër, luftë ndaj tregut informal dhe rritje të konkurrencës.

Të gjitha këto, si dhe monitorimi dhe kontrolli  i aktivitetit të peshkimit përmes një kontrolli satelitor, janë në funksion të rimëkëmbjes së një sektori, që edhe pse i vogël, është kontribues në skemën e punësimit, si një ekonomi mbështetëse, shumë e rëndësishme për familjet e zonave përkatëse.

Gjithsesi, sfida të sektorit të peshkimit dhe të akuakulturës mbeten edhe hapja e eksporteve për molusqet dhe zgjerimi i eksportit të prodhimeve të detit.